10 shkurti, Dash Shehi: Qytetarët nuk kanë besim te lidershipi i PD

Nga A2 CNN
4 Shkurt 2026, 22:51 | Politikë

“Nuk kanë besim! Troç muhabeti! Qytetarët nuk kanë besim te ky lidership që është sot në Partinë Demokratike”.

Kështu u shpreh Dashamir Shehi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Sipas tij, në krye të partisë më të madhe opozitare “janë po të njëjtët njerëz, të njëjtat llafe, janë eksperienca të kaluara”.

“Pastaj, mbajnë dhe një pjesë të këtyre problemeve të Shqipërisë në shpinë këta. Nuk është se po vijnë engjëj të rinj e po i shkojmë nga mbrapa. Unë protestë ka 35 vjet që bëj edhe po bëj ende si qytetar, edhe do shkoj prapë në protestë. Por, këtu opozita nuk është vetëm protestë. Opozita është 360 gradë, që do të thotë: protestë, mosbindje civile, lloj-lloj formash proteste…; Ka jetë politike parlamentare, propozim ligjesh konkrete, debat me palën tjetër që këtu është vjedh, që këtu e ke gabim, që ne e bëjmë ndryshe. Domethënë, substancë politike; Prezencë në media, që dinë të flasin, të japin mend për shtetin shqiptar, për lirinë, për demokracinë, në emër të opozitës shqiptare; Bashkëpunim me ndërkombëtarët, që nuk është se ka qenë i shkëlqyeshëm i opozitës shqiptare. Këtu ka njerëz që duan ta mbyllin këtë punë vetëm te protesta sepse janë akoma në gjendje me mbledh një grup njerëzish atje. Mirëpo, për sa kohë që nuk del qyteti… Tirana ka 1 milion banorë. Po 5% e Tiranës të dalë janë 50 000 veta. I vesh atletet dhe ikën vetë ky. Por, ti s'je në gjendje. E megjithatë, unë them që le të bëhet protesta. Por, ti i ushqen me një ide të rreme. I thua me datë 10 do ta rrëzojmë, me datë 11 pastaj… Mirëpo, vjen e shkarkohet kjo lloj energjie, bëhet e lodhshme, bëhet e pafrytshme”, shpjegoi Shehi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos