Ndërkohë që në Tiranë po zhvillohet samiti i Komunitetit Politik Europian me pjesëmarrjen e të gjithë liderëve të Europës dhe më gjerë, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ndodhet në Bruksel në Forumin e Unionit Internacional Demokratik (IDU).
“Në Europë nuk shkon kurrë me vota të vjedhura, zgjedhje farsë dhe narko-shtet”, u shpreh Berisha në rrjetet sociale pas fjalës së tij në forum.
A2 CNN raporton se gjatë fjalës së tij Berisha tha se ka informuar Bordin Ekzekutiv të IDU-së për zgjedhjet e 11 majit, të cilat sipas tij ishin një farsë e qartë.
“Këto zgjedhje u zhvilluan në një klimë terrori politik të paparë më parë, ku Kryeministri, i cili tani udhëheq një narkoshtet, i pari dhe i vetmi narkoshtet në Europë, për të siguruar mandatin e katërt, vuri në burg, në arrest shtëpie apo nën ndjekje penale, tre drejtues të partive kryesore të opozitës, u hoqi mandatet kryetarëve të bashkive dhe burgosi deputetë të opozitës”, tha Berisha.
Ai ka kërkuar mbështetje duke thënë “kërkoj sërish mbështetje nga qeveritë, nga IDU, PPE, CDI dhe qeveritë në pushtet që kombi im të mund të votojë i lirë”.
(A2 Televizion)