Braçe shpërthen ndaj Këlliçit: Bandat e tij sulmuan zyrën e PS, tërhoqën zvarrë gra e goditën një burrë

Nga A2 CNN
11 Maj 2025, 22:49 | Politikë
Braçe shpërthen ndaj Këlliçit: Bandat e tij sulmuan

Erion Braçe ka reaguar i indinjuar pas akuzave të Belind Këlliçit se në zyrën e deputetit socialist po kryheshin krime zgjedhore. Në një video në Instagram Braçe hedh poshtë këto akuza dhe e akuzon demokratin se ka marrë zvarrë gra dhe ka goditur një burrë. Braçe thekson se i ka treguar Këlliçit çdo cep të zyrës së PS dhe thotë se ka shkuar atje që të mos preken socialistët.

“Unë mendoj se merrem me burra jo me qesharakë si Belind Këlliçi. Unë ka  shkuar në rrugën Marko Boçari në një zyrë pune për shkak se një bandë e PD e shoqëruar me TV kriminal të familjes ka tërhequr zvarrë gra dhe ka goditur një tjetër burrë atje. Këta kanë vrarë socialistë e di. Kam qenë prezent në 21 janar kur këta kanë qëlluar e pushkatuar dhe nuk janë penduar por nuk ndodh kurrë që të prekin dhe një socialist të vetëm dhe për këtë arsye kam shkuar atje. Belind Këlliçin e kam thirrur unë në zyrë i kam treguar edhe ambientet e zyrës, nga frigoriferi lavatriçja. I kam treguar plaçka kokoshka e ushqime se këto për këtë kategori janë dhe më ka thënë që unë nuk dyshoj se ti ke blerë vota, apo ke vjedhur vota. Nuk e bën ti këtë as ti as Majko, as Xhafaj”.

Braçe mohon akuzat e Këlliçit për blerje votash dhe thekson se soji i këtij të fundit e bëjnë këtë. Socialisti tregon se në prani të Këlliçit i ka treguar policisë zyrën e PS-së, ndërsa e paralajmëron.

“Në zonën time elektorale jo që s’është prekur votë me dorë, por nuk është harxhuar një lek dhe ia thashë atij mostre që unë nuk kam lekë të blej vota. Nuk kam pasur kurrë lekë të blej vota që nga viti 1996 e këtej. Dhe nuk e bëj unë. Belindi dhe gjithë soji i tij e bëjnë këtë punë, unë jo. Dhe nuk ka një provë të vetme. E vërteta është që banda shëtitëse e Belind Këlliçit ka sulmuar një ambient pune të socialistëve, ka goditur një grua dhe një burrë atje. Procesverbali që ka mbajtur policia në sy të Këlliçit ka evidentuar vetëm kokoshkat në zyrën e punës të ps asgjë tjetër. E kanë kontrolluar cep më cep.  Nëse e vazhdon këtë histori mbrapa më ke Belind dhe gjithë Belindat e tjerë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos