“Territorialja”, Teliti: Mazhoranca e ka gati draftin në sirtar, do të shkohet me dy variante

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2026, 21:04 | Politikë

Ndërkohë që sot në darkë përfundon edhe afati për opozitën i vendosur nga kreu i grupit parlamentar socialiat Taulant Balla për reformën territoriale, këshilltari demokrat, Dorian Teliti, akuzon mazhorancën se e ka gati draftin dhe se procesi në komisionin bipartizan po përdoret vetëm formalisht, pa vullnet real për konsensus. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai theksoi se opozita do të paraqesë në javët në vijim platformën e saj, e cila do të bazohet në dy shtylla kryesore.

“Unë e di që ata e kanë bërë gati variantin e tyre. Po e kanë ata gati në sirtar. Nuk ka as analizë të kontekstit aktual dhe këtë po e bëjmë sapo shoë për sy e faqe. Ne do bëjmë një analizë konkrete dhe realiste dhe kur të dalim pas dy tre javësh me modelin tonë, propozimin tonë, do jetë një material që ju do thoni gjysmë shkencor i përgatitur ka ekspertët përkatës. Kur të shkojmë neve në komision atje ne di që do përballemi me një propozim të palës tjetër. Në qoftë se nuk është mekanizmi i vetos, se këtu është gjithë çelësi, ata mund të çojnë në seancë plenare në korrik çfarë duan ata, ne do të çojmë modelin tonë. Do shkojnë dy variantet dhe dy modelet, do votojnë variantin e tyre. Kurse mekanizmi i vetos çfarë bën? Mekanizmi i vetos i jep të drejtën opozitës që të ndërhyjë në materialin dhe në propozimin e mazhorancës”, u shpreh Teliti në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Ai mohoi akuzat për bojkot nga ana e opozitës, duke theksuar se përplasja lidhet me shkeljen e procedurave në Komisionin Bipartizan për Reformën Territoriale. Teliti tha se bashkëkryetari nga ana e mazhorancës, Arbjan Mazniku, ka thirrur mbledhje pa dakordësi me bashkëkryetarin e opozitës, Luçiano Boçi, duke e bërë procesin të pavlefshëm.

“Nuk ka bojkot. Do kemi platformën tonë, jemi në tryezë. Në tryezë neve nuk tërhiqemi, ndonëse po bëjnë çmos për të na larguar nga tryeza. Një komision bipartizan funksionon vetëm mbi dakordësinë e dy bashkëkryetarëve. Çdo njoftim i njëanshëm e bën mbledhjen nul”, u shpreh Teliti në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Deputeti i PD-së sqaroi se mekanizmi i vetos nuk ka lidhje me mbledhjen e komisionit, por është instrumenti i vetëm që garanton ndërhyrjen e opozitës në fazën finale të vendimmarrjes.

“Vetoja nuk bllokon mbledhjet, por ndalon kalimin e njëanshëm të draftit në seancë plenare”, theksoi Teliti në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas tij, në mungesë të vetos, mazhoranca mund të çojë në Kuvend variantin e saj, ndërsa opozita do të paraqesë modelin alternativ, duke bërë që reforma të miratohet vetëm me votat e shumicës.

“Opozita është në tryezë dhe ka vullnet për konsensus. Nëse konsensusi mungon, përgjegjësia bie mbi mazhorancën”, deklaroi Teliti.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos