Bylykbashi: S’më surprizoi vota e Alibeajt! Edhe nëse s’do i hiqej imuniteti Berishës, drejtësia s’do pengohej

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2023, 20:54 | Politikë

Bylykbashi: S’më surprizoi vota e Alibeajt! Edhe nëse s’do

Sot Sali Berishës iu hoq imuniteti i deputetit edhe me votën e demokratit, Enkelejd ALibeaj, por për opozitën kjo nuk ishte aspak surprizë. I ftuar në A2 CNN, në emisionin Debat nga Alba Alishani, Bylykbashi ka zbuluar për herë të parë se pikërisht kjo panoramë që u regjistrua sot në Këshillin e Mandateve, ka qenë arsyeja se përse ai ka refuzuar heqjen e imunitetit të deputetit.

“Nuk është surprizë, sepse ka bërë një zgjedhje të veten, ata deputetë që janë aty ishin përpara rastit pse duhet të ketë një imunitet në Kushtetutë. Berisha edhe përkundër këshillës kishte një qëllim dhe thoshte do e heq nga kushtetuta, ne kishim versionin më të fortë të mundshëm siç e kanë gjermanët. Me kërkesë të Ramës te ndërkombëtarët, unë kam negociuar me OPDAT, EURALIUS, ku na thanë se Rama ka frikë se mund të arrestohen deputetët e opozitës. Që ta përdorësh këtë imunitet, të bie erë persekutimi politik, kur ka një dyshim që kjo po ndodh, atëherë parlamenti nuk mbron Berishën, por veten e vet nga kjo”, u shpreh Bylykbashi në A2 CNN.

Bylykbashi këmbëngulë se e gjitha është një mobilizim për të eliminuar nga loja politike Sali Berishën, pasi thekson se edhe nëse nuk do i hiqej imuniteti, kjo nuk e pengonte drejtësinë të bënte punën e saj.

“Nëse nuk ia hiqte imuniteti, aspak nuk pengohej hetimi, ta marrin në pyetje Berishën për herë të parë në 3 vjet, të ngrenë dhe akuzë, ta marrin ta çojnë përpara gjykatës dhe ta dënojnë, por qëllimi është ajo që tha Felaj, ta nxjerrim Berishën nga udhëheqja e opozitës se po na mobilizon njerëzit”, përfundoi Bylykbashi.

Këshilli i Mandateve vendosoi sot “pro” kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Sali Berishës. Kërkesa e SPAK u aprovua me 5 votat "pro" të mazhorancës të cilave iu shtua edhe aprovimi i Enkelejd Alibeajt në emër të Partisë Demokratike. 

Kështu, Këshilli i Mandateve vendosi me një votim unanim për zhveshjen e Sali Berishës nga imuniteti që i siguron mandati i deputetetit, për t'u vënë në dispozicion të drejtësisë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos