Dash Shehi takim me sipërmarrësin e fuqishëm italian Gianfranco Bruscoli: Tirana, Vlora e Durrësi janë betonizuar pa plan!

Nga A2 CNN
21 Prill 2025, 16:18 | Politikë

Dash Shehi takim me sipërmarrësin e fuqishëm italian Gianfranco

Kryetari i LZHK, njëherësh drejtues i koalicionit 'Djathtas për Zhvillim', deputeti Dashamir Shehi, ka zhvilluar një sërë takimesh në Itali me biznesmenë të njohur shqiptarë dhe të huaj.

Një prej këtyre takimeve ishte ai me Gianfranco Bruscoli, një nga sipërmarrësit më të mëdhenj të zonës së Pesaros, i cili ka të punësuar me dhjetëra punonjës shqiptarë.

Shehi gjatë fjalës së tij tha se në Tiranë dhe disa qytete bregdetare po ndërtohet në mënyrë të ç'rregullt, siç është bërë dikur në Italinë e Jugut apo në Spanjë.

"Tirana, Vlora, Durrësi dhe qytete të tjera bregdetare po ndërtohen në mënyrë të ç'rregullt si në Italinë e Jugut dikur. Duhet të ketë një plan ndërtimi, që të mos përfundojmë si disa zona në Spanjë, ku pas 10 vitesh s'do mund të ndërtohet më, sepse është hedhur gjithë ai beton në det", tha Shehi.

Ndërkohë të njëjtin qëndrim lidhur me ndërtimet mbajti edhe sipërmarrësi Bruscoli, i cili tha se efektet negative të ndërtimeve të ç'rregullta jepen pas disa vitesh.

"Të mendohet mirë për të ardhmen, pasi nëse sot ndizet një zjarr i madh kashte, pas 5-10 vitesh prishet gjithçka", tha biznesmeni.

Ata folën gjithashtu edhe për mundësitë për investime të huaja të mëdha në vendin tonë në të ardhmen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos