Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkon zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me fondet e IPARD për bujqësinë. Grupi i PD shprehet se Kuvendi, duhet të diskutojë, analizojë dhe gjejë mekanizmat e nevojshme që skema të tilla abuzuese, që sjellin bllokimin e fondeve të Bashkimit Europian, të mos përsëriten në të ardhmen.
PD kërkon që pas zhvillimit të debatit të miratohet një rezolutë që parashikon krijimin e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, për të propozuar masa konkrete që janë të nevojshme që institucionet përgjegjëse të Bashkimit Europian të rekomandojnë zhbllokimin e fondeve për Shqipërinë.
Kërkesa e Grupit Parlamentar të PD vjen pas një hetimi të kryer nga Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, e cila njoftoi zyrtarisht se ka identifikuar keqpërdorimin e 33 milionë eurove fonde të BE-së në ndihmë të bujqësisë shqiptare dhe rekomandoi bllokimin e paketës së radhës. (A2 Televizion)