Kush po e pengon SPAK? BE e shqetësuar, Gonzato: Lëreni të bëjë punën e vet

Nga Ervin Koçi
11 Korrik 2024, 15:29 | Politikë

SPAK nuk duhet penguar të ushtrojë detyrën. Ky ishte apeli i ambasadorit të BE-së Silvio Gonzato, i cili shpjegoi nga vinte kjo pengesë që e kishte shqetësuar. Gjatë një aktiviteti në Shkodër, ai u shpreh se rezultatet e Prokurorisë së Posaçme janë ato që priteshin nga reforma në drejtësi.

“Ne nuk flasim për hetime që po zhvillohen, por mund të them se ajo që po ndodh është ajo që ne kemi pritur. Dhe natyrisht se Reforma në Drejtësi e vitit 2016 është duke funksionuar. Ne duhet të lejojmë SPAK të bëjë punën e vet, të krijojmë hapësirën qe ta bëjnë këtë”, tha Gonzato.

Krahas drejtësisë, edhe reforma elektorale është një element që për BE-në është ende të kohë të marrë zgjidhje.

“Kjo është diçka që më ka shqetësuar që në fillim, kur erdha në Shqipëri dhjetorin e kaluar. Është e rëndësishme të ndjekin rekomandimet e OSBE dhe reforma zgjedhore të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Ende shpresoj që partitë do të gjejnë rrugën, në përgjigje të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë. Dhe të sigurojnë se zgjedhjet e ardhshme të bëhen në klimën më të favorshme të mundshme”, theksoi ambasadori i BE.

Pa një reformë zgjedhore, mund të krijohet terreni për kontestim të rezultatit nga pala humbëse, çka dëmton procesin e integrimit.

“Ne duam të shmangim një rezultat elektoral, i cili ndoshta kontestohet. Duam që zgjedhjet të bëhen në mënyrën e duhur, që sjell stabilitet që Shqipërisë i duhet në rrugën drejt BE-së.  Këto janë kohë vendimtare ku negociatat me BE shkojnë në një fazë të caktuar dhe ne na nevojitet kapacitet administrativ, dhe vendosmëri politike për integrimin europian”, shtoi Gonzato.

Deklaratat e Kreut të BE-së u bënë gjatë një aktiviteti në Shkodër në kuadër të mbylljes së projektit tre vjeçar Bashkimi Europian për pushtetin vendor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos