Kandidati i opozitës për Himarën, Petro Gjikuria: Nuk do të lejojmë të na përçajë askush, nuk do të ketë të nënës dhe të njerkës

Nga Anesti Barjamemaj
11 Korrik 2024, 10:34 | Politikë

Petro Gjikuria, kandidati i opozitës për Bashkinë Himarë, ka reaguar për herë të parë pas zyrtarizmit të emrit të tij për garën e 4 gushtit. Në një shënim në mediat sociale, Gjikuria shprehet se Himara në 12 vite qeverisje nga Partia Socialiste ka humbur shumë kohë, ndaj shton se kjo ka qenë një arsye më shumë për të garuar. Tashmë që klima e tensionuar duket se ka përçarë politikën dhe qytetarët, Gjikuria premton unifikim.

“E nesërmja në Bashkinë Himarë nuk do të ketë përjashtime, nuk do të ketë fëmijë të nënës dhe njerkës, banorë të përhershëm dhe të përkohshëm, socialistë dhe demokratë, tanët dhe të atyre. Nuk do të ketë korrupsion, nuk do të ketë pasiguri për pasurinë e çdo qytetari, nuk do të ketë Kryebashkiak të emëruar që zbaton verbërisht urdhrat e të gjithë atyre që duan të uzurpojnë pronat tona, ngado qofshin ata”, shkroi Gjikuria.

Ai premton se nëse zgjidhet qytetari i parë i Himarës, do vë në zbatim programin që prezantoi Fredi Beleri në garën e 14majit.

“E nesërmja për Bashkinë Himarë ka program, atë që vendosën qytetarët me shumicë votash në maj të vitit të kaluar. E nesërmja ka punë, ka zgjidhje, ka investime, ka Evropë, ka Demokraci, të cilën para së gjithash e garanton kryetari i Bashkisë. Ka Kryebashkiak që do të ketë porta të hapura në Tiranë, në Bruksel, në Athinë, por edhe në Uashington, për të kërkuar më të mirën për të nesërmen e Himarës”. 

Gjikuria vjen si kandidaturë e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, por mbështet edhe nga Partia Demokratike.

Më 4 gusht, ai do të ketë përballë prefektin e Vlorës, Vangjel Tavo, i cili është përzgjedhur nga socialistët për të kandiduar për postin e kryebashkiakut të Himarës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos