Debat për onkologët, opozita fajëson qeverinë, Balluku: I heqim licencat mjekëve

Nga Ervin Koçi
27 Qershor 2024, 15:11 | Politikë

Teksa mjekët e onkologjikut kalonin pragun e gjykatës, parlamenti nisi të zinte për hetimin e nisur. Seanca plenare nuk ishte e qetë pasi opozita shihte si fajtore të korrupsionit në spitalin onkologjik, veprimet e përfaqësuesve të qeverisë.

Vokshi: Ministrja e shëndetësisë Koçiu, ish-ministrja e Shëndetësisë Manastirliu, ministri I drejtësisë Manja, nuk duhet të ishin ulur në atë karrige sepse të gjithë e kanë ditur për skandalin te onkologjiku. 

Akuzat e opozitës nuk mbetën pa përgjigje. Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku u shpreh se lufta ndaj korrupsionit është iniciuar nga mazhoranca me reformën në drejtësi, duke prezantuar edhe nismën e re për ta luftuar korrupsionin edhe në shëndetësi.

Balluku: Do të nisim një kërkesë për ndryshim të ligjit të urdhrit të mjekut për t’i hequr licencën këtyre mjekëve përgjithmonë.

Lindita Nikolla tentoi disa herë të ndërpriste debatin për këtë çështje, duke i fikur mikrofonat opozitarëve.

Nikolla: Zoti Sula të lutem përmbaju procedurës se do t’ju ndërpres fjalën. 

Sula: Po t’i na ndërprit fjalën, rrogën, mandatin...po të pakën dëgjoi se çfarë do të them.

Por debati u rindez nga vetë Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu e cila pavarësisht se ishte thirrur në interpelancë për një çështje tjetër nga Tritan Shehu, kërkoi të jepte qëndrimin e saj për mjekët e ndaluar, duke hequr përgjegjësinë nga vetja me autonominë spitalore.  

Koçiu: Zoti Bardhi Keni qenë edhe ministër drejtësie, e dini si funksionon shtetit. E dini që Ministrja është për të mbështetur me rregulla, me procedura. Flasin çdo ditë për autonominë spitalore.

Zhurma e krijuar në sallë nga kori i opozitës që i kërkonte dorëheqjen Koçiut, nxori nga vetja Lindita Nikollën. Në pamundësi për të ndryshuar diskursin opozitës, i ngriti zërin koleges socialiste. 

Nikolla: A ka mundësi të respektojmë interpelancën?!

Nikolla: Zoti Bardhi ju paralajmëroj se do t’ju përjashtojë nga seanca!

Nikolla: Ore ju lutem, zonja Ministre, z. Shehu ka kërkuar interpelancë, respektoni deputetin!

Ministrja Koçiu iu bind Nikollës duke ndalur debatin për mjekët e Onkologjikut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos