Debate te “Sterilizimi”, Vokshi kërkon zgjatje të afateve: Nuk mbyllet komisioni pa dëshmuar Rama

Nga A2 CNN
21 Tetor 2024, 10:37 | Politikë

Mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe Check-Up është shoqëruar sërish me debate të forta mes kryetares Alban Vokshi dhe nënkryetarit socialist, Plarent Ndreca.

Ndryshe nga mbledhjet e fundit në komision ishin të pranishëm edhe ligjvënësit e tjerë opozitarë, ndërsa Vokshi i cilësoi të paligjshme mbledhjet e fundit pa prezencën e tyre, pasi përfaqësuesit e mazhorancës kanë caktuar orare dhe emra dëshmitarësh, që janë dëgjuar pa vendosur Kryesia për mbledhjen.

Të majtët kanë njoftuar marrjen e dëshmive të fundit, duke pritur të mbyllin mbyllja punën e komisionit hetimor ditën e nesërme me dëshminë e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, por demokratët kanë kundërshtuar.

Në emër të PD, Vokshi ka kërkuar zbatimin e Rregullores dhe është shprehur se pa marrjen në pyetje të kryeministrit Edi Rama si dëshmitar, ky komision hetimor do të vijojë punën, shkruan A2.

“Ky komision nuk mund të mbyllet pa dëshmuar edhe Edi Rama”, tha Vokshi duke kërkuar zgjatjen e afateve edhe me të paktën 3 javë.

“Zbatoni rregulloren, Kushtetutën, ligjin. Të shtyhet me 2-3 javë afati për Komisionin. Nuk është ezauruar lista e dëshmitarëve. Të bëjmë transparencë për koncesionet kriminale, abuzive. Ky komision nuk mund të mbyllet pa dëshminë e kryeministrit Edi Rama. Nuk po respektohet rregullorja, nuk janë respektuar dhe njoftuar oraret”, u shpreh Vokshi.

Edhe deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili kërkoi zgjatjen e afateve të komisionit. “Ka parregullsi shumë të mëdha. Nuk ka mundësi të mbyllet në datën 22, të mblidhet Kryesia dhe të diskutohet”, deklaroi ai.

Në krahun tjetër, Plarent Ndreca tha se opozita ka tentuar ta pengojë punën e komisionit dhe refuzoi kërkesën e Vokshit për Ramën si dëshmitar.

Sipas tij , kryeministri nuk mund të thirret, sepse nuk ka pasur vendimmarrje për koncesionet në Shëndetësi.

“Nëse ka një palë në këtë sallë që ka tentuar të pengoje komisionin është pala juaj. Keni penguar punën e komisionit me vendosjen e afateve. Për shkak se jemi shumicë dhe kemi përgjegjësi për të respektuar kushtetuten kemi treguar durim, edhe pse keni shkulur mikrofonat dhe jemi prekur fizikisht. Është shtyrë me dy muaj me kërkesë të deputetëve të djathtë. Nëse ka pengesë në këtë komision jeni ju si kryetare. Ju e keni penguar gjithmonë komisionin. Kryeministri s’ka firmosur në këto koncesione dhe kontrata sipërmarrëse. Nuk ka lidhje me çështjen dhe objektin e këtij Komisioni Hetimor, ndaj nuk mund të thirret për dëshmi. Po kështu edhe një prej emrave që ju përmendët si sipërmarrës, pasi nuk lidhet me koncesionet që kemi nën objekt”, tha Ndreca.

Në vijim ai shtoi se qëllimi i opozitës është ta pengojë zhvillimin normal të mbledhjes së Komisionit, ndërsa pranoi zhvillimin e mbledhjes së Kryesisë, por pa objekt diskutimi shtyrjen e afatit të punimeve që kërkoi opozita.

“Mbledhjen e Kryesisë e bëjmë, por jo që të shtyhet afati i caktuar, nëse doni mbledhjen, hajde ta bëjmë, nëse keni ardhur për ta prishur, është çështje tjetër”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos