Koloneli Dritan Demiraj deklaroi se, përveç kërkesës së bërë nga një kongresmen amerikan për hetimin e lidhjeve të qeverisë së kryeministrit Edi Rama me trafikun e drogës, po zhvillohet edhe një proces tjetër hetimor, të cilin e cilësoi si "më skandaloz" dhe që, sipas tij, po e shqetëson seriozisht kreun e qeverisë.
I ftuar në emisionin "Off the Record" me Andrea Dangllin në A2 CNN, Demiraj tha se së shpejti do të ketë zhvillime që lidhen me një hetim për pastrim parash dhe marrëdhënie me aktorë që i cilësoi si antiamerikanë dhe antishqiptarë.
"Jemi në fazat fillestare të kësaj që po deklaroj. Ajo që ka bërë kërkesë kongresmeni amerikan për hetimin e lidhjeve të qeverisë së kryeministrit Rama me trafikun e drogës nuk është asgjë më tepër se ajo që kam diskutuar dhe kam deklaruar që në muajt janar-shkurt. Kam pasur dijeni dhe informacione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo që i ndaloi këto negociata ishte lufta e Iranit.", tha Demiraj.
"Jemi në fazat e një hetimi tjetër më skandaloz, për të cilin ju kam dhënë fjalën që nuk do ta bëj publik, sepse nuk jam i autorizuar. Por shumë shpejt do të ketë një hetim që po e tmerron Edi Ramën, në lidhje me pastrim parash dhe me disa vende, aktorë antiamerikanë dhe antishqiptarë, të cilët shkelin të gjitha rregullat ndërkombëtare të funksionimit të përfaqësimeve diplomatike.", shtoi Demiraj. (A2 Televizion)