Vetëm 20 minuta seancë, opozitarët ndezin tymuese, socialistët miratojnë ligjet mes kaosit

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2023, 10:13 | Politikë

Foltorja e bllokuar me karriget e përmbysura ishte vetëm hapi i parë i asaj që Sali Berisha e quajti mosbindja civile për këtë të enjte në Parlament.

Sapo deputetët e mazhorancës dhe kryetarja e Kuvendit janë ulur në vendet e tyre, ligjvënësit opozitarë kanë ndezur tymuese, duke shkaktuar kaos total në sallën e seancave plenare. Saimir Korreshi dhe Dashnor Sula janë parë me tymuese në duar, ndërsa Taulant Balla i "kërcënoi" se përdorimi i lëndëve kimike në Kuvend përbën vepër penale.

Teksa tymi mbuloi sallën, kryeparlamentarja Lindita Nikolla nuk i ndali punimet, por kërkoi ndërhyrjen e Gardës për të mbarëvajtur rendin.

Seanca mes zhurmës, tymit dhe tensioneve zgjati pak më shumë se 20 minuta, kohë kjo e mjaftueshme që socialistët të votonin projektligjet e parashikuara për t'u diskutuar në rendin e ditës dhe që të rrëzonin të gjitha nismat e opozitës.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, mori fjalën mes tymit dhe iu kërkoi deputetëve demokratë që të mos keqpërdoren nga interesat personale të një individi, referuar ish-kryeministrit Berisha.

Deputeti ligjvënien e ka detyrë primare. Kjo pamje tregon se këtë punë nuk e keni marrë seriozisht. Përkeqëson marrëdhënien me njerëzit. Thirrja ime ndaj pjesës më të madhe të deputetëve të djathtë, ju lutem mos u keqpërdorni nga interesi dhe halli personal i një njeriu”, tha Balla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos