Sali Berisha, në një prononcim për mediat jashtë sallës së Kuvendit, deklaroi se kryeministri Edi Rama, pavarësisht se nuk ndodhet në Tiranë, në Parlament “do të marrë atë që meriton”.
“Edi Rama iku njëherë në Paris, kësaj here në Marsejë. Kësaj here hajduti shkon me avion privat personal. Megjithatë, Parlamenti do të jetë institucioni qendror ku ai do marrë atë që meriton. Asgjë nuk zbulohet paraprakisht. Nuk ka më gjë normale, gjëja më e përgjegjshme, më e shenjtë që mund të bëjë një deputet është të mbrojë të drejtën kushtetuese. Ata që betohen në Kushtetutë, duhet ta mbrojnë atë me çdo çmim. Deputetët prej një muaji nuk po bëjnë asgjë tjetër veçse po mbrojnë Kushtetutën. Mendoj se ky është vendimi më i përgjegjshëm. Alternativa e këtij vendimi do të ishte bojkoti, por bojkoti do të ishte një dëshirë dhe kënaqësi e Edi Ramës, të cilën nuk do ia plotësojmë. Ne do vazhdojmë betejën. Ai ka një muaj që nuk hyn në Parlament, nuk respekton interpelanca, nuk respekton pyetje, nuk respekton asgjë, çka shkel Kushtetutën, kurse ne mbrojmë Kushtetutën”, tha Berisha.
Në lidhje me progres-raportin, Berisha theksoi: “Ne vlerësojmë progres-raportin dhe konstatimin e tij se në këtë Parlament, Kushtetuta shkelet me dy këmbët. Por, natyrisht janë shqiptarët që duhet t’i japin përgjigjen e merituar këtyre akteve të pashembullta. Dje, Edi Rama bëri sikur do të paraqitet në interpelancë dhe tani sikur i doli papritmas ky problem. Po edhe sikur në Hënë të niset, do të zbresë prapë dhe do të marrë atë që meriton. Ky është një aksion pa kthim. Një aksion që do të kalojë në të gjithë stadet e veta deri në rivendosjen e Kushtetutës në parlament dhe në vend”.
(A2 Televizion)