Deputetja e PS: Banorët e bashkive të “shkrira” do të jenë më të privilegjuar, pas 2027-ës do ta kuptojnë

Nga A2 CNN
12 Tetor 2026, 14:10 | Politikë

Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, deklaroi në emisionin “Puls”, me Bruna Çifligun, se banorët e bashkive që do të shkrihen në kuadër të reformës territoriale do të kenë më shumë mundësi dhe shërbime më të mira.

Bylykbashi tha se i mirëkupton reagimet e qytetarëve kundër reformës, por sipas saj, ndryshimet e mëdha sjellin frikë dhe vendimmarrja duhet të bëhet duke u bazuar te nevojat afatgjata.

Ajo u shpreh e bindur se pas zgjedhjeve të vitit 2027, banorët do të kuptojnë përfitimet e reformës dhe se shërbimet e jetesa e tyre do të përmirësohen.

“Patjetër që këta qytetarë do të jenë më të privilegjuar sesa bashkitë e tjera, që sot janë të vogla dhe kanë mbetur akoma më vete. Do të kenë mundësi më të mëdha. Jam e bindur që edhe vetë qytetarët do ta shikojnë se cilat janë përfitimet. Duke i mirëkuptuar totalisht në reagimet e tyre, sepse ndryshimet e mëdha sjellin frikë, por ne kemi detyrimin që të jemi të ftohtë në vendimmarrje”, deklaroi Bylykbashi.

“Banorët do të kuptojnë pas zgjedhjeve të reja në vitin 2027 se vetëm do t’u përmirësohet shërbimi dhe jetesa e tyre”, shtoi deputetja socialiste. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos