Demokratët vijojnë të mos shikojnë nga vetja, por kanë gjetur një fajtor të ri për humbjen e Aleancës për Shqipërinë Madhështore më 11 maj, shkruan A2 CNN. Sali Berisha ia hodhi përgjegjësinë për rezultatin shërbimit postar ndërkombëtar DHL, i cili shpërndau zarfet me fletët e votimit në të gjithë botën, dhe të cilin e akuzon se i është bindur urdhrave të Kryeministrit Rama.
“DHL, me urdhër të qeverisë, ka shkelur kontratën dhe ka kontraktuar nënkontraktorë të tjerë, të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë me PS-në, ndonëse kontrata parashikonte se asnjë lloj nënkontraktimi nuk mund të bëhej”, tha ai.
Edhe Posta Shqiptare, sipas kreut të Partisë Demokratike, është përfshirë në atë që ai e quan farsë elektorale. “Dora e zezë e Postës Shqiptare është një nga faktorët e tjerë që ushtruan ndikim mbi votën e diasporës”, shtoi Beisha.
Berisha u pyet edhe për operacionin ndërkombëtar mes SPAK dhe Antimafias italiane. Ai i dha meritat vetëm autoriteteve të huaja dhe jo institucionit të drejtuar nga Altin Dumani.
“Unë përshëndes Antimafien italiane. Antimafien, se SPAK-u aty ishte... të themi atë që është. Por ky është një operacion në vazhdim. Të presim. Janë lëshuar 52 urdhra-arresti. Nuk u tha sa u arrestuan dhe nuk u dhanë asnjë të dhënë. Të them unë ty, eksponentët kryesorë u njoftuan dhe ikën”.
Sa i përket materialit të dërguar në SHBA, ku paraqiten denoncimet e Partisë Demokratike për zgjedhjet, lideri opozitar pohoi se është një raport paraprak dhe shtoi se letra të ngjashme do të dorëzohen në të gjitha qeveritë e huaja për t’i bindur ato se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin të lira. (A2 Televizion)