Dashamir Shehi pranon humbjen duke marrë përsipër edhe përgjegjësinë për rezultatin në zgjedhjet e 11 Majit. Ndaj ka vendosur të largohet nga drejtimi i koalicionit “Djathtas për Zhvillim”, por do të vijojë të qëndrojë në krye të partisë së themeluar prej tij.
“Kjo është një përgjegjësi që e mbaj unë personalisht, sharrën e humbjes dhe për këtë motiv largohem nga drejtimi i Koalicionit për t’i hapur rrugë njerëzve më të rinj sesa unë dhe më energjik”, tha Dashamir Shehi.
Përgjegjësi për humbjen ndjen edhe Enkelejd Alibeaj, që iu bashkua koalicionit me partinë e krijuar pak muaj para zgjedhjeve. Edhe ai pohon gjithashtu se do ketë një reflektim, por shton se betejën për parimet dhe programin e prezantuar në fushatë do ta vijojë.
“Ky rezultat nuk është turp, e kam zgjedhur vetë para dy tre vitesh, mund të isha zgjedhur një tjetër rrugë, por jo zgjodha rrugën e drejtë, për të bërë betejën me të vjetrën gjithmonë në interes publik. Mesa duket është mall i rrallë ky qëndrim. Politikisht ky ishte fundi, por aktivizimi jo”, tha Enkelejd Alibeaj.
Nga këto zgjedhje shohin edhe elementë pozitivë, hyrjen në Kuvend të forcave të reja politike, ku sërish u shtrinë dorën e bashkëpunimit për të qenë në një front të përbashkët përballë mazhorancës socialiste. (A2 Televizion)