Diaspora merr votën me postë, KQZ: Mbi 8 mijë janë kthyer, 3 qarqe nuk kanë dërguar asnjë fletë votimi

Nga A2 CNN
22 Prill 2025, 12:11 | Politikë

Mbi 71 mijë fletë votimi janë dërguar në diasporë, dhe mbi 8 mijë kanë arritur në vend me votën e emigrantëve. Gazetari i A2CNN Ervin Koçi nga Parku Olimpik, i shndërruar tashmë në një KZAZ për votën e diasporës, ka dhënë më shumë detaje për këtë proces.

“Janë duke proceduar me paketimin e zarfeve të fundit dhe dërgimi i tyre në adresat përkatëse. Nuk bëhet fjalë për zarfe të përcaktuara të ndara sipas qarqeve, por janë ata zarfe që janë identifikuar problematika dhe pas verifikimit të adresës ka vijuar prcesi për të paketuar dhe dërguar fletët në adresat që kanë dërguar shqiptarët. Të dhënat që flasin për kthimin në Shqipëri. Janë 71481 fletë votimi të marra në dorë nga zgjedhësit nga jashtë vendit dhe 8407 të mbërritura në KQZ. Kur mbërrijnë në KQZ zarfet ndahen në dy kuti përkatëse. Në një materialet zgjedhore në tjetrën janë zarfet B”, raportoi gazetari i A2 CNN.

Sipas tij Shkodra, Fieri dhe Vlora nuk kanë sjellë asnjë fletë  votimi, ndërsa kryeson Durrësi me 3792 fletë, kurse Tirana vetëm me një.

“Qarqet që kanë sjellë fletë votimi janë të gjithë, me përjashtim të 3 qarqeve; Shkodër, Fier dhe Vlorë nuk kanë sjellë asnjë fletë votimi ende në Shqipëri të plotësuar nga zgjedhës nga jashtë.

Durrësi kryeson me 3792, Dibra 1987, Berati 1671, Elbasani 955, Kukësi 118, Lezha 86, Gjirokastra 65, Korça 32, Tirana me vetëm një fletë votimi të mbërritur në ambientin e KQZ në parkun olimpik. Ka ende kohë për të kthyer fletën e votimit. Afati maksimal është 11 maji. Do kenë një vulë hyrëse në territor”, raportoi gazetari i A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos