Për të marrë mandatin e katër, për kryeministrin Rama duket që është e pamjaftueshme vetëm retorika për integrimin në BE dhe gjuha ndaj kundërshtarëve politik. Premtimin e parë elektoral për rritjen e pagës minimale e ndau me ndjekësit në rrjeteve sociale.
“Paga minimale e kishim 157 euro e kemi 400 euro dhe me vendim siç e kam thënë edhe më parë në qershor do ta bëjmë 500 euro, që do të hyjë në efekt nga janari 2026 pagën minimale 500 euro’, tha kryeministri.
Një arsye tjetër, të cilën rendit si avantazh për partinë e tij lidhet me Pavarësinë e drejtësisë. Teksa bashkëpunëtorët e tij që gjenden para drejtësisë pretendojnë se po përndiqen politikisht, Rama nënvizon për të disatën herë që Fatos Nano është i burgosuri i fundit politik në Shqipëri.
“Duhet të votosh me patjetër për arsyen, qoftë dhe të vetme që barazia para ligjit të mos vihet më në diskutim dhe që çfarë është nisur, të mos përmbyset e të mos kthehemi prapë aty ku ishim, në llumin e një drejtësie pazarxhinjsh, e një drejtësie që vetëm drejtësi nuk ishte dhe vetëm drejtësi nuk bënte. Çdo adresë tjetër nuk të çon në BE, të çon prapa”, shtoi ai.
Pasi Kryeministri ka marrë vesh që pas mbylljes së TikTok në Shqipëri kjo platformë po operon me VPN, i paralajmëroi përdoruesit për rrezikun e hakërimit.
“Procedura për mbylljen e TikTok-ut ka përfunduar për telefonat smart, duket përdorur të ashtuquajtura VPN falas, është shumë e rrezikshme, pasi dihet botërisht se përmes VPN falas, hakerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit. Kijeni parasysh këtë gjë dhe duroni pa TikTik ca kohë, deri kur të përfundojmë edhe programin e përbashkët me kompaninë TikTok”, tha kreu i qeverisë.
Ndjekësit në këtë komunikim Rama i kishte edhe përtej territorit zyrtar, të cilët e ngacmuan duke e pyetur nëse ishte mërzitur për urdhërarrestin ndaj Milorad Dodik, president i Republika Srpska në Bosnje.
“Është një pjesë e juaja atje në Kosovë që siç themi ne këtej nga anët tona nuk mbush. Nuk mbushe nuk mbush. Kjo historia e miqve të mi “çetnikë”, është një budallallëk me brirë edhe thjesht të bën ty dhe cilindo që mendon e komenton si ty, shume qesharak”, përfundoi Rama.
Kryeministri nuk harron të përzgjedhë pyetje për të mbajtur aktiv Lulzim Bashën, i cili flet për lidhjen shpirtërore mes tyre. (A2 Televizion)