Dita e Flamurit, opozita uron nga Vlora: Për një Shqipëri larg korrupsionit

Nga Arestina Skënderi
28 Nëntor 2024, 15:09 | Politikë

Demokratët nderuan ditën e flamurit në një ceremoni të mëvetshme në Vlorë, ku zhvilluan edhe homazhet në nder të 28 Nëntorit.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, uroi 112 vjetorin e Pavarësisë duke theksuar se shqiptarët kanë nevojë për një Shqipëri ndryshe, larg korrupsionit.

“Kjo është një ditë e madhe ndaj e shfrytëzoj në emër të PD edhe njëherë gëzuar, të na gjejë më të bashkuar, me një Shqipëri ndryshe, të na gjejë në festë, pa krim, pa korrupsion, pa drogë, pa drejtësi të kapur dhe me liri dhe demokraci të vërtetë”.

I pyetur nga gazetarët, Noka komentoi edhe arsyet pse liderit të opozitës iu hoq masa e sigurisë pas 11 muajsh në arrest shtëpie.

“Lirimi i zotit Berisha erdhi si pasojë e zhvillimeve të vrullshme politike. E para ishte fitorja e presidentit Trump në SHBA, çka preu metastazat e Xhorxh Sorosit edhe në Shqipëri. E dyta janë rezolutat dhe mbështetja e partnerëve që i bënë PD-së. Faktori i tretë dhe kryesorja është rezistenca dhe qëndresa e demokratëve në të gjithë Shqipërinë”.

Përtej ceremonisë në Sheshin e Flamurit, liderët e opozitës uruan shqiptarët për 112 vjetorin e Pavarësisë edhe përmes rrjeteve sociale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos