Nga sot për një muaj, deri më 20 korrik, Zegjine Caushi, Sara Mila, Marajana Koçeku dhe 36 deputetë të tjerë të rinj të Partisë Socialiste, që i bashkohen jetës parlamentare në shtator, do të marrin pjesë në shkollën verore që zhvillohet në ambientet e selisë rozë.
Në trajnimin e “Akademisë Politike”, që ka nisur prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm, lektori i parë do të jetë ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ligjvënësi me eksperiencë nga radhët e socialistëve e nisi ditën e parë si lektor, duke i tërhequr veshin gazetarëve për faktin se ju referuan si profesor dhe kolegët deputetë i cilësuan si nxënësit e tij.
“Besoj se duhet të jeni po aq serioz, saç janë këta që kanë ardhur”, u tha Xhafaj gazetarëve në hyrje të selisë së PS.
“Unë nuk do bëj mësim dhe ata nuk janë nxënës, janë kolegë të mitë dhe siç ndodh në çdo punë tjetër, dikush që ka një eksperiencë më para mundohet t’ua transmetojë kolegëve. Në mënyrë metaforike është kënaqësia për mua që do të takohem me kolegët e mi që do të ndaj 4 vite në seancë parlamentare”, shtoi ai më tej.
“Kam disa, por do t'ua jap atyre”, u përgjigj Xhafaj kur u pyet nëse ka një mesazh për të përcjellë për deputetët e rinj.
Për mediat kanë folur edhe dy nga deputetet më të reja, ajo e qarkut Fier, Zegjine Caushi dhe Marjana Koçeku, e njohur si “Neomalësorja”, e cila doli fituese nga lista e PS në qarkun e Shkodrës.
“Ditën e parë të shkollës, jo s’mund ta quajmë shkollë është thjesht një trajnim”, u tha Çaushi gazetarëve, të cilët kërkuan të mësonin nëse ishte entuziaste që po rikthehej në shkollë.
E pyetur se cili është lektori i saj i preferuar, ligjvënësja e qarkut Fier u përgjigj duke thënë: “Të gjithë janë shumë të mirë. S’kemi një të preferuar. Që nga kryeministri që ishte i pari e deri tek i fundit”.
Ndërkohë Koçeku deklaroi: “Është akademi dhe kam kënaqësi me qenë pjesë”. Pyetjes mbi lektorin e preferuar, ajo iu përgjigj: “Për mua janë të gjithë të barabartë”. (A2 Televizion)