Drejtori i Komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, i ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, ka deklaruar se protesta e 10 shkurtit pritet të ketë pjesëmarrje më të madhe se ajo e 24 janarit dhe se nuk do të jetë një ngjarje e izoluar, por pjesë e një sezoni të tërë protestash.
Sipas Lelës, opozita synon të rrisë presionin qytetar ndaj qeverisë, ndërsa mënyra dhe kohëzgjatja e protestës do të varen nga “pulsi i protestuesve”. Ai theksoi se zemërimi qytetar është rritur ndjeshëm pas ndërhyrjes së policisë në protestën e fundit, duke e konsideruar përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit si të shpërpjesëtuar dhe provokues.
“Pjesëmarrja do të jetë më e madhe se herën e kaluar. Nuk është një protestë që ka stacion më 10 shkurt. Është pjesë e një stine protestash, e një pranvere qytetare”, u shpreh Lela.
Ai kritikoi ashpër sjelljen e policisë ndaj protestuesve, duke e cilësuar atë si një reflektim të një qeverie që, sipas tij, nuk toleron kundërshtimin dhe zërin kritik. Lela shtoi se ndërhyrja e forcave të rendit ndaj protestuesve përbën një tregues të qartë të mungesës së dialogut dhe respektit për të drejtën e protestës.
Ai theksoi se opozita do të vijojë mobilizimin qytetar në ditët dhe javët në vijim, duke paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen më 10 shkurt. (A2 Televizion)