Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, ka propozuar që përpjekjet për bashkimin e opozitës të mos zhvillohen në salla formale, por drejtpërdrejt në shesh, përmes një proteste të pandërprerë 24 orë në ditë.
Lapaj theksoi se nisma për një bashkëpunim më të gjerë opozitar duhet të konkretizohet në terren, përballë Kryeministrisë, aty ku prej më shumë se 60 ditësh vijon një protestë e pandalur qytetare. Sipas tij, çdo subjekt opozitar, organizatë shoqërore dhe grup intelektualësh duhet të zbresë në shesh dhe të qëndrojë pa ndërprerje, si shenjë e vendosmërisë për ndryshim.
“Tryeza e bashkimit të opozitës duhet të zhvillohet në shesh. Duhet të qëndrojmë 24 orë në 24, sepse sot kemi nevojë për një qëndresë reale, jo simbolike”, u shpreh Lapaj.
Ai theksoi se protesta aktuale është qytetare dhe pa logo partie, ndërsa u bëri thirrje të gjitha forcave opozitare, përfshirë Partinë Demokratike, që të bashkohen në këtë aksion. Sipas tij, qëllimi është krijimi i një fronti të gjerë për largimin e qeverisë dhe formimin e një qeverie tranzitore 12-mujore, e cila të përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Lapaj nënvizoi se bashkimi i opozitës nuk duhet të bazohet në interesa personale apo partiake, por në nevojën urgjente për ndryshim dhe rikthimin e demokracisë funksionale në vend. (A2 Televizion)