Lapaj: Korrupsioni i zyrtarëve të lartë, duhet të shpallet vepër e tradhtisë së rëndë kombëtare

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2026, 22:01 | Politikë

Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, ka bërë thirrje për masa drastike kundër korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit, duke propozuar që korrupsioni i zyrtarëve të lartë të shpallet me ligj vepër e tradhtisë së rëndë kombëtare.

Sipas Lapajt, çdo politikan që hyn në zyrën e shtetit duhet të jetë i vetëdijshëm se nuk duhet të prekë “asnjë cent të republikës”, pasi herët a vonë do të mbajë përgjegjësi. Ai theksoi se reforma reale kundër korrupsionit nuk arrihet vetëm me ndryshime procedurale apo komisione hetimore, por kërkon vullnet të fortë politik dhe vendime të guximshme ligjore.

“Korrupsioni i zyrtarëve të lartë duhet të shpallet tradhti e rëndë kombëtare, sepse po dëmton rëndë interesin publik dhe të ardhmen e vendit. Kjo është një reformë reale që i bën politikanët të ndihen realisht të përgjegjshëm”, deklaroi Lapaj.

Ai u shpreh skeptik se lufta kundër korrupsionit mund të mbështetet vetëm te drejtësia, duke theksuar se kapacitetet e prokurorisë janë të kufizuara dhe se, në këtë ritëm, numri i zyrtarëve të ndëshkuar do të mbetet minimal. Sipas tij, shoqëria nuk ka luksin të presë me vite për rezultate, ndërsa korrupsioni vazhdon të dëmtojë rëndë shtetin.

Lapaj kërkoi gjithashtu një mobilizim më të madh shoqëror dhe politik për të ushtruar presion ndaj klasës politike, duke e cilësuar ndryshimin si një domosdoshmëri urgjente për të ardhmen e Shqipërisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos