“Do shkoj në Amerikë”, Berisha falënderon Trump: s’kam qenë kurrë non grata

Nga Anesti Barjamemaj
12 Qershor 2026, 15:09 | Politikë

Si fillim një falënderim për Donald Trump dhe administratën e tij. “Dua të falënderoj përzemërsisht edhe një herë administratën e presidentit Trump”.

E më pas akuza ndaj atyre që vendosën sanksionimin ndaj tij. “Lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe George Sorosit për ndalimin e hyrjes sime në Shtetet e Bashkuara”.

Një ditë pas vendimit të Departamentit të Shtetit, për heqjen e sanksionit ndaj tij dhe familjarëve të tij dhe lejimin e tyre për të udhëtar drejt Amerikës, Sali Berisha deklaroi përse thotë se nuk ka qenë kurrë non grata dhe ku ndryshon me përcaktimin publik nga sekretari i shtetit, shkruan A2 CNN.

“Sali Berisha s'ka qenë kurrë non-grata. Shpallja non-grata bazohet në Konventën e Vjenës. Kurse dizenjimi për mos-hyrje në territorin e Shteteve të Bashkuara ka në bazë një ligj të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, pra është ligj i brendshëm”.

Berisha nuk e përjashtoi që ky vendim të jetë efekt i lobimit në SHBA pranë administratës Trump, ndërsa rezervoi dhe një sqarim shtesë.

Berisha: Është një produkt në përputhje të plotë me ligjet që kanë Shtetet e Bashkuara. Me ligjet e Shteteve të Bashkuara. Këtu nuk do të kemi, sepse...

Keni lobuar apo jo?

Sali Berisha: Një minutë, një minutë. Mund të bësh çdo përpjekje ti, po në qoftë se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara e konsiderojnë jo të përshtatshme për vendin e tyre, çdo gjë përfundon në hiç.

Tashmë që në pasaportën e tij mund të stampohet viza amerikane, lideri demokrat tha se po planifikon kalimin e oqeanit.

“Pa diskutim që unë do shkoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por do ta koordinoj me miqtë e mi udhëtimin. Tani për tani fillon një periudhë pushimesh kudo. Përveçse unë s'kam ndërmend të bëj pushime, po sapo mjedisi mos jetë kaq festiv me pushime, unë do shkoj”, shtoi ai.

Nga konferenca për mediat, Berisha komentoi edhe protestën qytetare në Tiranë ku shprehu mbështetjen e tij dhe u bëri thirrje të gjithë demokratëve që të jenë në shesh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos