“Dokument pa vlerë”, Shehi: Nuk e mbështesim superkomisionin antikorrupsion të PS

Nga A2 CNN
31 Maj 2024, 15:25 | Politikë

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar nuk do ta mbështesë superkomisionin antikorrupsion të miratuar vetëm me votat e PS-së. Kryetari i LZHK, Dashamir Shehi thotë se korrupsioni nuk mund të luftohet nga të korruptuarit.

“Nuk jemi dakord me këtë komision, prandaj edhe nuk e kemi votuar. Në gjykimin tim, pozicioni i opozitës ka qenë pozitiv që nuk mori pjesë. Ne e kemi konsideruar dokument të pavlerë që nuk lufton realisht korrupsionin, qeveria është aty dhe ka gjithë mjetet e nevojshme për ta luftuar. Nuk ka si ta luftojë korrupsionin një institucion i ri, një komision special ad hoc i dominuar nga kjo qeveri e mazhorancë me kryetar nga kjo shumicë. Ky është një lloj teatri për t’i hedhur hi syve, është si t'i vësh ujkut mëlçitë në qafë. Këto kanë qenë atje prej 11 vjetësh. Kjo qeveri  e kishte për detyrë të vinte para drejtësisë 4-5 funksionarë të vet. Ajo me iniciativën e vet nuk e ka bërë kurrë këtë punë. Tani në fund të mandatit sajohet një komisionin. Parlamenti i dha të gjitha shenjat e korruptimit sidomos muajt e fundit ka pasur dy pozicione që e bëjnë qesharake këtë lloj rezolute”.

Parlamenti i dha dritën jeshile ngritjes së komisionit antikorrupsion një ditë më parë me 74 vota pro të mazhorancës, ndërsa 6 deputetë të opozitës votuan kundër.

Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion do të ketë 11 anëtarë. Afati fillestar për të do të jetë 10 muaj dhe anëtarët do të jenë kryetarët dhe zv/kryetarët e katër komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Europian.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos