Programi ekonomik i Rithemelimit, ulje taksash dhe rritje pagash, Berisha kërkon reduktim të TVSH

Nga Anesti Barjamemaj
31 Maj 2024, 15:06 | Politikë

Reformim i thellë i sistemit fiskal, tatim i sheshtë 10%,zero taksa për profesionet e lira dhe biznesin e vogël, si ulje të taksave për shitjet e pronave.

Këto janë disa nga pikat e programit ekonomik të Partisë Demokratike të Rithemelimit për zgjedhjet e vitit 2025. Në video konferencë me Departamentet e Ekonomisë, Financave Publike dhe Sipërmarrjes, kryetari Sali Berisha e cilësoi këtë program si terapi për të shëruar çdo sëmundje të ekonomisë shqiptare.

“Kam një sugjerim të guxojmë të prekim tabutë dhe tabu është TVSH-ja. Unë jam që të mos ngurojmë. Nuk jam për përshkallëzime por jam për një ulje prej 25% të nivelit aktual të saj”, tha Berisha.

Duke kujtuar kohën kur PD ishte në qeverisje të vendit, Berisha kërkoi që programi të parashikojë investime. Sërish premtoi dyfishim të pagave.

“Ne do të dyfishojmë rrogat, kjo nuk ka diskutim. Përsëri kjo nuk të çon në zbatimin e gjerë të parimit “E mira më e madhe e numrit më të madh”. Nuk është populizëm kjo. Jo. Ne jemi parti konservatore. Ne krijojmë të ardhurat duke u bazuar në lirinë ekonomike. Por ne nga ana tjetër kujdesemi për shpërndarjen e tyre”.

Rithemelimi synon dhe ndalimin e valës së emigracionit, duke premtuar mbështetje me grante dhe taksa të ulëta për çdo të ri dhe të re që synon krijimin e një sipërmarrjeje. Edhe për familjet e reja, premtohet mbështetje, që nga subvencionimi i normave të interesit për blerje banese, rritje të ndjeshme të bonusit të bebes, grant mujor deri në moshën 21 vjeç, si dhe përjashtim nga taksat i nënave me shumë fëmijë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos