Komunikimet elektronike, Balluku prezanton projektligjin: Përafrohet me direktivën e BE

Nga A2 CNN
30 Maj 2024, 19:36 | Politikë

Para miratimit në seancë, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku prezantoi projektligjin për komunikimet elektronike dhe postare. Në fjalën e saj, ajo u shpreh se ndër objektivat kryesore që synohen të arrihen nëpërmjet kësaj nisme është rritja e kërkesës për zhvillimin e ekonomisë digjitale dhe një shoqërie gigabit.

“Jetojmë në kohën e atij që konsiderohet si revolucioni dixhital. Një kohë ndryshimesh të thella, të shpejta në një sektor kritik, i cili ka të bëjë me komunikimet elektronike, zhvillimet e teknologjive digjitale, aplikacioneve, komunikimeve makineri me makineri, apo shërbimeve të reja, të cilat mundësojnë sot infrastrukturat dixhitale dhe mjetet e komunikimit elektronik si një nga kërkesat bazë të të gjithë sektorëve. Dhe sigurisht që e vetmja mundësi për të ecur përpara në këtë kohë është të përshtasim pikësëpari kuadrin legjislativ kombëtar, duke e përfaruar atë me direktivat dhe standardet europiane”, tha Balluku.

“Projektligji “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” vjen pikërisht si një domosdoshmëri për të reflektuar këto zhvillime të vrullshme teknologjike dhe për t’ju përgjigjur më mirë nevojave të kohës dhe për të pasur një kuadër të fortë ligjor i cili do të ketë dhe qëndrueshmëri në kohë. Projektligji rishikon në tërësi rregullimet në fuqi, në lidhje me spektrin e frekuencave, reagimin e shërbimeve dhe regjimin e tyre universal, rregullat për mbrojtjen e konsumatorit, numeracionin dhe komunikimet në rastin e emergjencave, dhe sigurisht pasuron rregullat për aksesin, interkoneksionin dhe rregullimin e tregut të telekomunikacioneve në tërësi, bazuar në praktikat më të mira të Bashkimit Evropian”, shtoi Balluku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos