Demokratët dhe socialistët kishin dy lexime totalisht të ndryshme sa i përket arrestimit të drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, për bashkëpunim me krimin e organizuar. Çfarë shihet nga opozita si simbol ulëritës i rënies së shtetit, përkthehet nga mazhoranca si shembull i funksionimit të institucioneve.
“Ky shtet është i krimbur nga koka te këmbët. Ky Parlament diskuton për seksin e engjëjve.”
“A ka ndonjëherë prioritet ky shtet kur bie siguria kombëtare? Baromi, dini gjë nga është?”
“Balta mbi Shqipërinë pse institucionet e shtetit bëjnë detyrën, është e pafalshme. Kjo opozitë, as më shumë e as më pak, vazhdon të bëjë atë që ka bërë për 13 vjet. ... Ferra dhe gurë bashkë në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Por ne do të vazhdojmë përpara.”
Pretendimi i socialistëve se kanë bërë shtet, nuk bind aspak demokratët, por kjo nuk pengoi Ulsi Manjën që t’i referohej parimeve, që kishte hedhur shënim në letër.
“Është një skandal që ka ndodhur në këto 36 vjet, tregon degjenerimin e institucioneve të shtetit, i cili në fakt nuk ka ekzistuar, nuk ka rënë dje, ka 15 që nuk ekziston ky shtet.”
“Fakti që drejtësia sot heton cilindo, pavarësisht funksionit që mban, unë e konsideroj funksionim të shtetit ligjor. Askush nuk është mbi ligjin, por ama ka një parim të rëndësishëm në drejtësi, parimi i prezumimit të pafajësisë. Askujt nuk mund t’i bëhet gjyqi publik pa një vendim të formës së prerë.”
Në mbyllje të replikës së tij, kreu i Komisionit të Ligjeve nuk harroi së përmenduri mbështetjen financiare për organet e drejtësisë.
(A2 Televizion)