
Lila do të ushtrojë përkohësisht detyrat në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit, deri në përcaktimin e drejtimit të mëtejshëm të institucionit.
Vlora Hyseni iu vetëdorëzua autoriteteve disa orë pasi SPAK njoftoi për masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin e saj nga detyra.
Kryeministri Edi Rama i ka deleguar përkohësisht Elvis Lilës drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit, pas largimit nga detyra të Vlora Hysenit.
Në Fletoren Zyrtare është botuar urdhri për delegimin e kompetencave administrative të drejtorit të SHISH-it te drejtori i Departamentit Operativ.
Delegimi në këtë nivel duket se është bërë për shkak se SHISH-i nuk ka një zëvendësdrejtor, i cili do të duhej të merrte drejtimin e institucionit në mungesë të Hysenit.
Urdhri ka hyrë menjëherë në fuqi dhe do të zbatohet deri në emërimin e drejtorit të ri të SHISH-it.
Më herët, kreu i qeverisë, Edi Rama, deklaroi se, pas kthimit nga vizita në SHBA, do të zhvillojë një takim me Presidentin Bajram Begaj, me të cilin do të diskutojë për drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Ndërkaq, GJKKO-ja pritet të verifikojë masat e sigurisë të caktuara ndaj Vlora Hysenit, e cila ndodhet në “arrest në shtëpi” dhe është pezulluar nga ushtrimi i detyrës. Ajo dyshohet për veprat penale të “përkrahjes së autorit të krimit” dhe “zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”.
E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për biznesmenin Embro Sulejmani dhe zyrtarin e Policisë së Shtetit, Fatjon Kalluçi, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”. (A2 Televizion)