“Shqipëria ndodhet në një spirale autoritarizmi kleptokratik nga e cila nuk mund të dalë pa një ndryshim politik të vërtetë”. Kështu u shp[reh në Çdo kënd me Merita Haklajn në A2 CNN demokrati Gnec Pollo, sipas të cilit, as SPAK-u, as media dhe as faktori ndërkombëtar nuk mund ta shpëtojnë vendin, nëse nuk ka një ndërgjegjësim shoqëror dhe një rotacion pushteti në rrugë kushtetuese.
“12 vitet e fundit janë një trajektore e trishtuar si e Partisë Demokratike në opozitë, po ashtu edhe e Shqipërisë drejt një autokracie kleptokratike dhe pavarësisht se Partia Demokratike në opozitë mund të mos ketë patur, forcën që kishte PS-ja në opozitë para se të vinte pushtet, apo PD-ja në 2004-n. Megjithatë mbetet shpresa e vetme e madhe që në këtë vend mund të ketë një ndryshim pozitiv. Me gjithë 101 kritikat shumë të pabazuara, disa me meritë që i bëjnë asaj pa një ndryshim politik në këtë vend, nuk mund të ketë një përmirësim, ose nuk mund të ketë një shpëtim nga regjimi autoritar kleptorokratik ku fatkeqësisht ndodhemi. Nuk do ta shpëtojë as SPAK-u, gjyqësori i cili mund ndihmojë, nuk do ta shpëtojë vetëm media e lirë, e cila ka një rol të madh po e vetme nuk ka ç'bën. Nuk mund ta shpëtojnë ndërkombëtarët apo pjesa e mirë e tyre të cilët kanë një rol të madh që mund ta luajnë nëse duan. Në qoftë se nuk ka një evoluim, një ndërgjegjësim shoqëror, rindërgjegjësim shoqëror dhe një ndryshim politik, nuk mund të ketë shpëtim”, deklaroi Pollo në A2 CNN.
Pollo vlerësoi veprimet e SPAK-ut për ekspozimin e aferave të korrupsionit, por theksoi se “spakizimi i politikës” është një shpresë e rreme.
“Gjyqësori përmes hetimit i ekspozon dhe merr masa për të larguar njerëzit, natyrisht me rezistencën nga Edi Rama që po shikojmë, por në qoftë se qoftë edhe dënohet një ministër apo një ministër edhe zëvendësohet me një ministër tjetër, madje dhe në rastin ekstrem sikur të largohet kryeministri dhe të zëvendësohet me një kryeministër tjetër, prapë ndryshimi normalizues nuk ndodh. Ndodh zgjatja e agonisë dhe kjo është një sfidë e madhe, është një sfidë e vështirë”, theksoi Pollo.
Sipas tij, sfida kryesore sot nuk është vetëm pushteti, por mpirja e ndërgjegjes shoqërore, mungesa e shpresës dhe emigrimi masiv, fenomene që, siç tha, nuk ekzistonin në këto përmasa në vitin 2005.
Duke folur për ndërkombëtarët, Pollo pranoi rolin historik pozitiv të BE-së dhe SHBA-së në tranzicion, por kritikoi qëndrimet e fundit të Brukselit dhe raste të përfaqësuesve diplomatikë që, sipas tij, kanë mbyllur sytë ndaj skandaleve. “Problemet tona duhet t’i zgjidhim vetë”, theksoi ai. (A2 Televizion)