Deputetja socialiste Klodiana Spahiu u shpreh se integrimi nuk ka të bëjë vetëm me votimin e ligjeve në Parlament, por, sipas saj, duhet angazhim nga të gjithë.
Spahiu deklaroi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, se edhe “fermeri që është atje larg ta kuptojë që kjo punë nuk bëhet individualisht”.
“Procesi i integrimit nuk mbyllet në Parlament, nuk mbyllet me votimin e atyre ligjeve. Secili nga përgjegjësit e fushave të dalë në terren, të flasë me fermerin, me blegtorin dhe të krijohet mundësia që të arrijnë ta kuptojnë se çfarë po ndodh me këtë proces. Sepse nuk do të jetë një proces i thjeshtë, kjo punë nuk bëhet vetëm, kërkon një bashkëpunim shumë të madh të shoqërisë civile, patjetër që Parlamenti dhe qeveria e ka detyrë, por duhet të angazhohen të gjithë që ta realizojmë këtë gjë. Që edhe ai fermeri që është atje larg ta kuptojë që kjo punë nuk bëhet individualisht, që ka ardhur momenti që të jenë pak më të bashkuar, më të strukturuar në mënyrë që të përballojnë atë që është procesi i integrimit që do ndodhë”, tha Spahiu.
“Me fjalë të bukura e themi, por duhet të dalim në terren. Dhe kjo dalja në terren duhet të bëhet për çdo sektor. Por, bujqësia dhe blegtoria e ka thelbësore”, shtoi deputetja socialiste. (A2 Televizion)