Ka elementë në Kuvend që mendojnë se do të fitojnë pikë tek elektorati i tyre, duke përdorur forcën dhe agresivitetin. Këtë konfirmoi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN nënkryetarja e Kuvendit e mazhorancës Klodiana Spahiu, duke iu referuar opozitës për përdorimin e gjuhës së ashpër dhe tensioneve në Kuvend. Sipas saj ky nuk është modeli që i shërben shoqërisë, pasi shqiptarët dinë të dallojnë se kush i shërben interesit publik.
“Sot vlerësohet ai që votohet më shumë, ai që ka mbështetje më shumë, ai që e ngre zërin më shumë dhe atje në parlament. Po a duhet të funksionojë kështu? Unë besoj që jo. Besoj që ne të gjithë nga pak mund ta ndryshojmë frymën parlamentare. E kam parë edhe e kam përjetuar këtë gjë. padyshim ka elementë që mendojnë që duke përdorur forcën dhe agresivitetin dhe një tonalitet të lartë që në fund të fundit është dhe ndotja akustike për ato kolegët që janë aty mund të fitojnë pikë tek elektorati i vetë. Po a i shërben kjo shoqërisë, a i shërben kjo modelit që duhet të japim ne? Unë besoj që jo. Pra, unë mendoj që tani ka ardhur momenti që edhe shoqëria shqiptare ka arritur të perceptojë se kush është e mira dhe kush i shërben shoqërisë”, tha Spahiu në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Deputetja socialiste theksoi se parlamenti duhet të fokusohet te bashkëpunimi dhe integrimi europian, duke nënvizuar rëndësinë e miratimit të ligjeve në përputhje me detyrimet ndaj Bashkimit Europian.
“Cila do të jetë sjellja më e mirë edhe brenda në parlament, kur ne e dimë që tani parlamenti ka një detyrë kyçe dhe shumë të rëndësishme. Nuk e ka pasur asnjëherë kështu. Unë kam shumë vite dhe kam kaluar periudha edhe të vështira, edhe konfliktuale, më të ashpra aty në parlament, por unë mendoj që tani ne duhet të na bashkojë një kauzë më e madhe, që është kjo kauza e integrimit. Pra duhet ta gjejmë mënyrën dhe gjëja që mua më shqetëson më tepër është që nëse nuk do të ishte arritur kjo mazhorancë, pra nuk do t'i kishim patur si asnjëherë këtë numër të mazhorancës, si do të bënim ne me këtë ligje që kemi votuar deri tash? Pra, në 23 ligje që ne kemi bërë një punë intensive, të gjithë bashkë, po flas mazhorancë dhe opozitë, duhet të ishim konsensualë në votimin e tyre. Pra, nuk mund të votonte opozita kundër, ose nuk mund të ikte nga salla e parlamentit. Pse? Sepse ne nëse nuk do t'i kishim votuar në kohën e duhur sipas detyrimeve që kemi pasur me Bashkimin Europian, ne sot nuk do të ishim në këtë proces”. (A2 Televizion)