Edhe pse vetë ka deklaruar se nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 11 majit, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka e ka konfirmuar mbështetjen për kampin opozitar, teksa ka dalë përpara Kryeministrisë për të protestuar këtë të shtunë.
Në një prononcim për mikrofonin e A2 CNN, Duka tha se tubimi i sotëm “krijon një farë fryme për të demaskuar korrupsionin qeveritar”.
“S’më intereson fare se çfarë ka thënë Rama. Unë nuk synoj për tu bërë as deputet, as ministër. Unë synoj që të respektohet ligji dhe Rama të iki nga drejtimi i qeverisë. Edhe nëse nuk ka faj vetë sepse qeveria po kapet e gjitha me korrupsion”, u shpreh kreu i PAA.
Duka tha ndër të tjera se nuk është e lehtë që opozita të fitojë më 11 maj, por bëri thirrje për bashkimin e të gjitha partive të krijuara pas çarjes në PD për të rrëzuar qeverinë Rama.
“Nuk është e lehtë. Por gjithsesi duhet të bëjë çfarë është e mundur që të grupi ata që ka. Do ishte mirë që edhe ata që janë ndarë nga PD të bashkohen në një pol në mënyrë që votat të përkthehen në mandate. Nëse ndodh kështu mund të vihet në pushtet. Ata që nuk janë te PD ta vënë interesin e kësaj që po them, rotacionit dhe shembjes së kësaj qeverie dhe të bashkohen. Nëse janë veç e veç rrezikojnë shumë që votat e tyre të shkojnë në favor të mazhorancës”, u shpreh Duka për A2 CNN.
(A2 Televizion)