“E ke bërë Parlamentin si dyqan”, Noka kritika Spiropalit: E hap dhe e mbyll sipas tekave të tua

Nga A2 CNN
16 Qershor 2025, 13:51 | Politikë

“E ke bërë Parlamentin si dyqan”, Noka kritika Spiropalit:

Rikthimi në punë i Parlamentit në seancën plenare të kësaj të hëne, është shoqëruar me debate mes socialistëve dhe demokratëve, me këta të fundit që kanë kritikuar shtyrjen e seancës nga java e kaluar, pasi kryeparlamentarja Elisa Spiropali ndodhej në Ukrainë.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka e akuzoi Spiropalin se e ka shëndërruar institucionin në një dyqan, që e hap dhe mbyll sipas tekave e dëshirave personale.

“Është e turpshme që spikerja e Parlamentit t’iu thotë deputetëve që ma dini për nder se unë po i bëj këto seanca. Zonjë ky Parlament është i zgjedhur nga sovrani dhe ne e përfaqësojmë atë dhe për të vazhduar punën në shërbim të ligjit, Kushtetutës dhe interesave të sovranit. Dhe nuk është çështje humoresh se i teket spikeres se unë e mbyll sot, dhe e mbyll/ Ose unë e hap dhe më thoni faleminderit. Turet tuaja turistike për të bërë një selfie këtu apo atje zonjë, nuk mund ta bllokojnë kurrë agjendën e këtij Parlamenti. Ju mungojnë ju 5 apo 10 deputetë dhe nuk kaloni dot noterizimet që ju thotë Sulltani, ky nuk është funksioni i këtij Parlamenti. Harrojeni ky Parlament nuk është dyqani juaj, që hapet e mbyllet kur të doni ju dhe funksionon sipas tekave tuaja. Që nga 11 maji ju e keni problem funksionimin e Parlamentit sepse demaskimi i farsës, me zë dhe figurë ju ka krijuar problem dhe stres. Dhe ndaj keni nisur të ulërisni, jo po nxini faqen e Shqipërisë. Zonjë duhet të kesh parasysh një gjë edhe kaq kohë sa je në atë karrige, sepse vjeshta ikën bashkë me vapën dhe do vij Sara aty të zërë vendin tënd, përpiqu të ruash dinjitetin e institucionit që përfaqëson”, iu drejtua Noka - Spiropalit nga vendi.

Nuk ia kurseu një përgjigje kryetarja e Kuvendit, duke ironizuar PD me faktin që lideri i tyre Sali Berisha nuk mund të udhëtojë për në SHBA.

Spiropali po ashtu nënvizoi se socialistët udhëtojnë për punë në vendet e BE, dhe jo për të nxirë imazhin e Shqipërisë siç bëjnë demokratët.

“I nderuar zoti Noka e kuptoj shumë mirë që ju mungojnë fotografitë, e selfiet kudo në Europë dhe përtej oqeanit. Por ky nuk është problemi ynë sepse ne nuk shkojmë aty për foto, shkojmë aty për të përfaqësuar Shqipërinë, atë që siç ju thatë dhe vetë e nxini ku të mundni në ato hapësira të vogla që ju kanë mbetur ndërkombëtarisht. Do ketë pa diskutim seanca plenare, sa herë të ketë ligje që kanë kaluar në komisionet parlamentare”, iu përgjigj Spiropali. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos