Vëzhguesit ndërkombëtarë për 11 majin janë kërcënuar nga Edi Rama. Këtë deklaroi Sali Berisha në një konferencë për mediat, teksa vijoi denoncimet e tij për atë që quan farsë zgjedhore.
“Ne e kemi kapur në flagrancë Edi Ramën me krime monstruoze elektorale dhe bandën e tij që udhëheq. Ai po bën presione të jashtëzakonshme, janë kërcënuar vëzhguesit ndërkombëtarë këtu, që nuk di të ketë ndodhur në ndonjë vend tjetër. Janë kërcënuar egërsisht, vetë Edi Rama dhe ministri i tij, Igli Hasani”, tha Berisha, shkruan A2 CNN.
Nga selia blu, lideri i opozitës publikoi këtë të mërkurë një tjetër video që sipas tij fakton se zgjedhjet në 11 maj ishin farsë. Këtë herë para medias shfaqi dëshminë e dy të moshuarve që pretendojnë se një punonjës i postës u kishte marrë letërnjoftimet me arsyetimin se do u sillte pensionin në banesë, por i kishte privuar nga e drejta e votës.
Pavarësisht zërave për një krisje mes tyre, Berisha mori në mbrojtje edhe aleatin e tij Ilir Meta, ndaj të cilit GJKKO zgjati me 6 muaj të tjerë masën e sigurisë arrest në burg. Sipas kryedemokratit vendimi për Metën është marrë me urdhër të Edi Ramës dhe Altin Dumanit.
“Është një akt politik, kriminal që dëshmon frikën dhe tmerrin e Edi Ramës nga Ilir Meta. Që dëshmon papajtueshmërinë e tij, intolerancën absolute atërore ndaj opozitës dhe opozitarizmit”, tha Berisha.
Teksa iu kërkua një koment për zgjedhjen e kreut të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Berisha pohoi se cilido që të jetë në garë përzgjedhja bëhet nga Edi Rama. (A2 Televizion)