Numërimi nga e para e 42 kutive në Dibër nuk prodhoi ndryshim në renditjen e kandidatëve të listës së hapur të PD-së. Megjithatë, ankimi i bërë nga Xhemal Gjunkshi dhe i mbështetur nga PD, ku pretendonte për tjetërsim votash në favor të kolegut Përparim Spahiu, rezultoi të ishte pjesërisht i saktë, pasi rikuperoi mbi 60 vota.
Ky numër votash përgjysmoi diferencë ndërmjet dy kandidatëve demokratë në listën e hapur, duke treguar se abuzimet kanë ndodhur edhe brenda llojit nga numëruesit e të njëjtës parti, ku beteja në KAS bëhej për çdo fletë votimi, shkruan A2 CNN.
Me këtë ankimim Gjunkshi tregoi edhe ambiciet e tij për të ardhmen, pasi demokratët në Dibër morën vetëm dy mandate, aq sa kishte lista e mbyllur. Në këtë rast, vendi i tretë do të thotë i pari në radhë për të marrë mandatin në rast vakance nëse një prej kolegëve largohet apo humb mandatin.
Ky rikuperim votash ia shtoi edhe më shumë ambicien Gjunkshit i cili së bashku me përfaqësuesit e PD-së kërkuan që të hapen edhe 180 kutitë e tjera të qarkut Dibër. (A2 Televizion)