Kreu i PD, Berisha ka vijuar me denoncimet e atyre që ai i quan shkelje gjatë procesit zgjedhor të 11 majit.
Me anë të një video tjetër, Berisha publikoi denoncimet e disa qytetarëve në Shkodër, të cilët shprehen se punonjësi i postës iu mblodhi kartat dhe nuk i la të votonte duke i kërcënuar me pensionin.
“Këtu është dëshmia tronditëse se si narkobanditi, punonjësi i shtetit, shkon dhe mbledh kartat e identitetit të qytetarëve, me pretekstin se do i disbursojë pensionin dhe kartat ua mban, duke ditur bindjet e tyre politike, që ata të mos votojnë.
Pra ky bandit, punonjës i shtetit, narkobandit, ky me urdhër të Edi Ramës shkelmon të drejtën kushtetuese themelore të qytetarëve.
Unë dua të përshëndes këtë çift të moshuar, por njerëz kurajozë, që e denoncuan haptas këtë akt të përsëritur me mijëra e mijëra raste.
Ju, është bërë tashmë e njohur, se një nga detyrat kryesore të punonjësve, është mbledhja e kartave të identitetit, gjer në 20 të tilla, në mënyrë që narkoqeveria të blejë të drejtën e votës ose t’i përdorë ato me emra të tjerë. Kjo është histori tjetër.
Le të ndjekim rrëfimin e tyre, një aktakuzë e rëndë, e cila rrëzon të gjithë propagandën e pseudointelektualëve, intelektualëve të llumit, që çdo ditë përpiqen duke trilluar dhe mashtruar, herë si analistë e herë si banalistë, të mbrojnë veprën kriminale të Edi Ramës, të mbrojnë farsën elektorale që iu imponoi popullit shqiptar ky narkodiktator”, tha Berisha. (A2 Televizion)