Qafoku: Klodian Braho do ta çojë SPAK në një etapë tjetër që quhet "cilësia e hetimit"

Nga A2 CNN
2 Shkurt 2026, 21:54 | Politikë

Gazetari Roland Qafoku, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, shprehu bindjen e tij se “Klodian Braho do ta çojë SPAK në një etapë tjetër”.

“Unë mendoj që diskutimi për SPAK-un ka një moment të rëndësishëm me ardhjen ose me zgjedhjen si drejtues i saj të Klodian Brahos. Është një etapë e re, jo thjesht pse është prokurori që ka marrë një lloj baze ose një lloj eksperience nga ajo që bënë dy paraardhësit e tij, duke ditur që zoti Kraja në tre vjet nuk pati ndonjë bilanc të jashtëzakonshëm, sepse edhe institucionet nuk ishin të ngritura dhe numri i prokurorëve të SPAK-ut ishte shumë i ulët, por me zotin Dumani ka një bilanc dhe sot ne edhe mund të diskutojmë më minimalja.

“Pier Luixhi Vinjën, pasardhësin e Xhovani Falkones, kryeprokurorin e Antimafies Italiane e kam intervistuar. Ai më bëri një pyetje. Sa prokurorë dhe gjykatës janë vrarë në Shqipëri? I thashë unë, 300 policë. Prokurorë sa janë vrarë, tha ai. Asnjë iu përgjigja. Kur të vritet i pari tha, atëherë keni filluar betejën me krimin. I thashë se Shqipëria nuk funksionon kështu. Tani, specifika e Italisë është tjetër gjë. Kryeministri është marrë peng atje, është vrarë nga Brigadat e Kuqe. Por, kërcënimet tregojnë që beteja ka filluar ama. Zgjedhja e Klodian Brahos është një etapë shumë e rëndësishme. Pse? Sepse në këto momente SPAK dhe sigurisht edhe gjykata se ajo e kontrollon SPAK-un, është përballë asaj që quhet hetimi cilësor. Nuk lejohet më tani që SPAK-u të shfaqë ato defekte që janë shfaqur deri më sot. Që te procedimi penal, te masa e sigurisë, mënyra e arrestimit, sepse ne kemi një precedent si ai i zotit Meta. Ai është një turp dhe nuk mund të ndodhë më. Kjo periudhë, kjo etapë e drejtuar tashmë nga Klodian Braho, do ta çojë SPAK-un në një etapë tjetër, që quhet cilësia e hetimit”, shtoi Qafoku.

Sipas tij, “SPAK do jetë në një etapë tjetër edhe për shkak të rrethanave të tjera, më e rëndësishmja: Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin SPAK-un”.

“SHBA-ja në Shqipëri është në nivelin më të ulët diplomatik të kontakteve të çdo lloj veprimtarie të saj. Por për SPAK-un nuk e ka ulur asnjëherë nivelin e saj të mbështetjes dhe ky është lajmi më i mirë për Shqipërinë tonë, qoftë Shqipërinë politike, por edhe për shoqërinë shqiptare. Kështu që unë kam pritshmëri për këtë 3-vjeçar të drejtuar nga zoti Braho”, theksoi më tej Roland Qafoku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos