"Na duhet mbështetja e SHBA, këtu vota s'ka vlerë", Alimehmeti: Regjimet rrëzohen me sforcim nga jashtë

Nga A2 CNN
25 Dhjetor 2025, 21:52 | Politikë

Shqipëria ndodhet mes autokracisë dhe diktaturës dhe vetëm një ndërhyrje nga jashtë mund ta rrëzojë regjimin. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, anëtari i këhsillit të PD-së Ilir Alimehemeti, sipas të cilit, në këto kushte vota e lirë nuk ka më vlerë dhe se ndryshimi i regjimit nuk mund të vijë vetëm nga faktorë të brendshëm.

Alimehmeti u shpreh se demokracia lind nga zgjedhjet e ndershme, por sipas tij, në Shqipëri ky mekanizëm është i cenuar. Ai iu referua raporteve të OSBE/ODIHR, të cilat sipas tij dëshmojnë qartë se proceset zgjedhore nuk garantojnë vullnetin e lirë të qytetarëve.

“Kur një vend ndodhet mes autokracisë dhe diktaturës, vota nuk e rrëzon dot regjimin. Kjo s'ka ndodhur kurrë dot me votë të lirë, me votë, me votime. Sepse është shumë e qartë në sytë e të gjithëve që nëse ti je ndërmjet autokracisë dhe diktaturës, patjetër që largohet ai se e kupton këtu s'ka demokraci funksionale. Këtu vota nuk vlen për asnjë gjë se në fund fare ditës bën çfarë të dojë ky tjetri. Ky vend s'është demokraci. E në qoftë se nuk është demokraci, çfarë diskutojmë neve? Jo po e afrojmë votuesin, se afrojmë votuesin, po nuk është demokraci. Afroje votuesin sa të duash, por nuk e kapitalizon dot, nuk e mbron dot atë, sepse i kemi parë se çfarë ka ndodhur. Flasin raportet zyrtare për këtë. Nuk ka nevojë të themi ne më asgjë tjetër”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Duke përdorur analogjinë e një loje pa arbitër, ku fiton gjithmonë pala që shkel rregullat, Alimehmeti tha se, në mungesë të një arbitri që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, demokracia mbetet formale. Për këtë arsye, ai theksoi domosdoshmërinë e mbështetjes perëndimore, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ne po diskutojmë gjëra luksi, kur mungon baza, demokracia. Pa të, çdo debat tjetër është i kotë. Ndryshimi kërkon një aleancë të brendshme dhe të jashtme me një qëllim të përbashkët. Regjimi është i instaluar. Neve jemi shumë të qartë që ne flasim brenda këtij lloj regjimi dhe kjo kërkon absolutisht nevojën tonë, punën tonë. Ajo që u tregua dhe me datën 22 dhjetor. Pra që ka dëshirë që njerëzit e duan këtë lloj ndryshimi, por janë të pafuqishëm për ta bërë. Se përballë nuk ke një qeveri normale", tha Alimehmeti në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Ai nënvizoi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për Bashkimin Europian, nuk mund të lejohet të mbetet një “hallkë e dobët” në zinxhirin e sigurisë perëndimore. Sipas tij, interesat gjeopolitike të Perëndimit janë që në Shqipëri të forcohet demokracia dhe shteti ligjor.

Sipas tij, opozita, me Partinë Demokratike si forca kryesore brenda vendit, duhet të shërbejë si lokomotivë e këtij ndryshimi, ndërsa partnerët ndërkombëtarë janë të qartë: SHBA dhe Bashkimi Europian.

“Shqiptarët janë ndër popujt më proamerikanë në Europë. Partnerët tanë nuk janë as Kina dhe as Rusia. Janë SHBA dhe BE,” theksoi ai.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos