Edi Rama përmbys qeverinë, Albana Koçiu zëvendëson Ballukun, ikin edhe Spiropali e Vengu

Nga Anesti Barjamemaj
26 Shkurt 2026, 23:11 | Politikë

Edi Rama ka përmbysur sërish qeverinë, pa u bërë ende 6 muaj nga betimi i kabinetit “Rama 4”, qeveria tashmë do të ketë 7 ministra të rinj, ndryshime të njoftuara në mbledhjen e zgjedhur me grupin parlamentar dhe kabinetit qeveritar.

Këto lëvizje në qeveri vijnë edhe 20 ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që la në fuqi masën e pezullimit për zëvendës kryeministren njëherësh dhe ministre për energjinë dhe infrastrkrurën, Belinda Balluku, shkruan A2 CNN.

E pikërisht Belinda Balluku është e para që largohet nga qeveria, po vendin e saj do të zihet nga Albana Koçiu si zëvendës kryeministre dhe Enea Karakaçi, si ministër i Energjitikës dhe Infrastrukturës.

E teksa Koçiu lëviz nga ministria e Brendshme në Kryeministri, Karakaçi e prek për herë të parë postin në kabinetin qeveritar, pasi më herët ka qenë në rolin e drejtorit të OSHEE.

Vendin e lënë bosh nga Koçiu në ministrin e Brendshme e zë Besfort Lamallari, duke u kthyer sërish në godinën që ka shërbyer për vite si zëvendësministër. Lamallari tashmë do duhet të lë në mes punët me Kodin Penal dhe të merret me punët e brendshme, përfshirë edhe adresat, një prioritet i vendosur nga Rama që në shtator për ministrinë e Brendshme.

Ministër i Drejtësisë në vend të Lamallarit shkon Toni Gogu, i cili po ashtu rikthehet në dikasterin ku më parë ka qenë zëvendësministër.

Por Toni Gogu lë bosh vendin si ministër për Marrëdhënien me Parlamentin, rol që i është bësuar deputetes së re Eriona Ismaili.

Këto ndryshime të propozuara nga Rama nuk kanë vetëm rrokada dhe afrime të reja, por edhe largime. Të humburit e mëdhenj janë Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu, ku tashmë do duhet që të ulen vetëm në ulëset e deputetëve.

Elisa Spiropali nuk do të mbajë më detyrën e ministres së Jashtme, pasi tashmë këtë rol Rama ia ka besuar Ferit Hoxhës, ambasadorit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Edhe Pirro Vengu duket se nuk e ka më besimin e Ramës për të drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes, pasi këtë rol do ta marrë  Ermal Nufi, i cili më herët ka mbajtur rolin e zëvendës sekretarit të përgjithshëm në Kryeministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos