Emisioni i RAI 3, Rama sqaron: Nuk telefonova drejtorin e televizionit, por kërkova që të...

Nga A2 CNN
23 Prill 2024, 13:38 | Politikë

Emisioni i RAI 3, Rama sqaron: Nuk telefonova drejtorin e televizionit, por

Kryeministri Rama mohoi lajmet e publikuara në mediat italiane për një telefonatë të ashpër mes shefit të Qeverisë shqiptare dhe drejtorit të RAI3, Paolo Corsini, pas një reportazhi të publikuar nga emisioni Report në lidhje me Shqipërinë. E pyetur nga A2CNN mbi këto raportime, zyra e Kryeministrit dha këtë përgjigje:

“Nuk ka pasur asnjë telefonatë me drejtorin e RAI3, po vetëm një kërkesë për telefonatë lidhur me shpifjen më skandaloze të emisionit Report, një episod për Shqipërinë e parë me sytë e shpifësve të mirënjohur të Tiranës dhe ku gazetari italian, me një paturpësi epike jo vetëm që nuk publikoi në emision asgjë nga përgjigjet me shkrim të pyetjeve të tij po me shkrim, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, po edhe u shfaq në një kanal ujrash të zeza në Tiranë ku foli për refuzimin e viktimës së tij për të dhënë përgjigje!”, thotë Rama.

Reportazhi i RAI3, pjesë të të cilit u publikuan edhe në gazetën la Repubblica, pohonte se marrëveshja Rama-Meloni për të ngritur kampe emigrantësh në vendin tonë, ishte negociuar nga sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë në Shqipëri, Engjëll Agaçi, të cilit media italiane i referohej si avokat i narkotrafikantëve shqiptarë gjatë kohës kur punonte në Itali. Zyra e Kryeministrit shpjegon se telefonata me drejtuesit e RAI3 ishte kërkuar pikërisht sa i përket rolit të Agaçit në këtë çështje.

"Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm, i cili do të ngrejë padi penale për shpifësin, i është përgjigjur një për një me shkrim pyetjeve të tij, në afatin e kërkuar prej tij, në adresën e tij. Kërkesa për telefonatën, lidhej vetëm me këtë fakt të dokumentuar dhe të tmerrshëm për një ekran që paguhet nga taksat e italianëve dhe që u angazhua në një episod të turpshëm baltosjeje të Shqipërisë, siç ndodhte në vitet kur në median italiane shqiptarët shfaqeshin vetëm si vrasës, trafikantë, prostituta dhe hajdutë, ndërsa Shqipëria si foleja e krimit në Europë!", thotë Rama.

Zyra e Kryeministrit sqaron se me drejtorin e Rai3, Rama ka biseduar qetësisht vetëm pasi në la Repubblica ishte shfaqur lajmi për një telefonatë të tensionuar mes tyre, që më pas ishte fshirë nga gazeta italiane pasi kishte rezultuar i pavërtetë. Referenca për Shqipërinë dhe Ramën në shkrimin e la Repubblica ishte pjesë e një artikulli që gazetare i kushtonte presioneve politike me të cilat po përballej RAI3, për shkak të ndikimeve të qeverisë italiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos