Dekretimi i zgjedhjeve për Tiranën, Qafoku: Rusmaili dhe Klement Zguri mund të japin dorëheqje si këshilltarë të Presidentit

Nga A2 CNN
2 Tetor 2025, 09:35 | Politikë

Dy këshilltarët e Presidentit Bajram Begaj për çështjet juridike, Klement Zguri dhe Ilir Rusmajli mund të japin dorëheqjen pas vendimit të Kreut të Shtetit për të dekretuar datën e zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki, përfshirë edhe Tiranën.

Këtë prapaskenë nga Presidenca e zbuloi gazetari Roland Qafoku, në emisionin  “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Sipas Qafokut dy juristët i kanë kërkuar Begajt që të mos dekretojë datën e zgjedhjeve, nisur nga ngërçi i krijuar me Tiranën, pasi kryebashkiaku i shkarkuar Erion Veliaj, e ka çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Presidenti Begaj po përgatitet për mandatin e dytë. Kështu e kuptoj unë këtë. Që nga Berisha nuk kemi pasur përsëritje të mandatit presidencial. Klement Zguri dhe Ilir Rusmajli, që janë nga juristët më të mirë që ka Shqipëria, i kanë thënë “JO, nuk duhet ta bësh kështu”. Nuk është çudi që të dy të japin dorëheqjen nesër. Mund të kemi dy dorëheqje nga Presidenca nesër. Nuk e besoj dot që këta të dy t’i kenë thënë: “Dekretoje”. Begaj sot thjesht ka shtruar tapetin për mandatin e dytë. Kaq”, deklaroi Qafoku në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos