Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar sjelljen e tij në Këshillin e Europës si të një "banditi" dhe duke paralajmëruar fundin e asaj që ai e quan "narkodiktatura e Ramës", në datën 11 maj, nga vota dhe angazhimi i diasporës shqiptare.
Në një fjalim drejtuar mbështetësve të Partisë Demokratike në Breshia, Berisha deklaroi se PD ka kaluar një rrugë të vështirë, por është ringritur për të mbrojtur demokracinë dhe interesin kombëtar. Ai theksoi mbështetjen e vazhdueshme të miqve italianë dhe forcës politike Forza Italia, duke e kujtuar me respekt figurën e Silvio Berlusconit si mik të madh të Shqipërisë.
“Miq të mi, fasada ra. Së pari dua tu them se të hënën që kaloi u prita në Asamblenë Parlamente në Këshillin e Europës, tempullin e madh të demokracisë evropiane, në dy ndëgjesa, në dy grupet kryesore parlamentare kushtuar Shqipërisë dhe para një seri takimesh të veçanta përfshirë këtu, kryetarin e asamblesë së Këshillit të Europës dhe delegacione të vendeve anëtare, në të cilat unë isha zëri i shqiptarëve. Paraqita narkodiktaturën e Edi Ramës. Njoha miqtë tanë në Europë se narkodiktatori për të marrë një mandat të 4-të arrestoi, burgosi liderët e tre partive kryesore opozitare”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe te vizita e tij në Këshillin e Europës, ku tha se ishte pritur në dy dëgjesa të rëndësishme dhe zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të institucioneve europiane. Ai deklaroi se kishte paraqitur provat për atë që e cilësoi si “narkodiktaturë” e Edi Ramës, përfshirë arrestimin e liderëve opozitarë, legalizimin e kanabisit dhe aktivizimin e bandave kriminale në Shqipëri dhe jashtë saj.
Ish-kryeministri shtoi se kryeministrit Rama iu anulua darka zyrtare në Këshillin e Europës për shkak të sjelljes së tij të padenjë, duke e krahasuar atë me figura të errëta të diktaturës dhe regjimeve autoritare. Sipas Berishës, Rama u shoqërua me njerëz që më pas kërcënuan me mesazhe përfaqësuesit që kishin anuluar këtë darkë.
Në fund të fjalimit të tij, Berisha u shpreh i bindur se më 11 maj shqiptarët e diasporës do të jenë vendimtarë për të ardhmen e vendit: “Nuk ka bandë që mund të mposhtë shqiptarët. Në 11 maj, diaspora firmos fundin e narkodiktaturës”.
Në vijim, Berisha u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve jashtë vendit që të jenë të bashkuar dhe të vendosur për të sjellë ndryshimin. (A2 Televizion)