Votën e emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet e 11 majit, Edi Rama e kërkoi për të shpëtuar drejtësinë, siç tha ai nga bufi i kënetës, termi me të cilin identifikon liderin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Nga takimi me diasporën ne Milano, Rama bëri thirrje që të votohet për të vijuar që shpata që PS sipas tij i dha drejtësisë së pavarur të vijojë të presë e të forcohet edhe më shumë.
“Shqipëria sot është ndryshe nga se ishte kur ne morëm detyrën në çdo aspekt përveçse në kënetën e opozitës dhe të mediave rreth saj që sot janë edhe më keq se atëherë. S’ka asnjë dyshim që Shqipëria sot nuk do të jetë njësoj, do jetë shumë më ndryshe nga Shqipëria 2030 në BE. Do të jetë një Shqipëria e re, një shtet anëtar i një familje të madhe. Drejtësisë shpatën ia dhamë ne për herë të parë. Kurrë në Shqipëri s’ka pasur drejtësi të pavarur, kurrë nuk është parë dikush i lidhur me pushtetin politikë të shkoj para një hetuesi dhe një gjykatësi të pavarur, ne duhet ta garantojmë duke e futur Shqipërinë në BE aty ku drejtësia e re dhe e pavarur do të forcohet dhe do të mbetet e pavarur. Populli duhet ta marr vet në dorë dhe ta mbrojë me forcën e vet dhe me votën e 11 majit, lirinë dhe pavarësisë e drejtësisë që ne po ndërtojmë”, u shpreh kryeministri.
Në vijim ai akuzoi rivalët e tij, të cilëve iu referohet si pellg apo kënetë, që kanë marrë jetë të pafajshme njerëzish, ndaj kërkoi që në 12 maj t’i prezantojnë me Noc Rrokun.
"Ata janë këneta që jo vetëm asnjëherë nuk i ka lënë drejtësisë radhë të thotë fjalën e vetë. Ka arritur ajo kënetë të marrë jetë të pafajshme njerëzish dhe sot duan të rikthehen përsëri, sepse bufi do të rikthehet për hallin e tij. Prandaj dua të më kuptoni dhe më besoni që këtë mesazh ta marrin sa më shumë shqiptarë. Nuk bëhet fjalë për pushtetin tonë në vetvete, se këtu nuk bëhet fjalë për të marrë një votë më shumë se sa këneta. Këtu bëhet fjalë që t’i japim Shqipërisë objektivin në krye të negociatave dhe Shqipëria 2030 të marrë statusin dhe ta garantojë përfundimisht, ta garantojë si një të drejtë të lindur të çdo vajze apo djali. Barazinë para ligjit. Se ne të gjithë mund ta mbrojmë drejtësinë nga bufat dhe mushkonjat. E vërteta, në 12 Maj ata do prezantohen me Noc Rrokun. Vetëm kështu ne mund të mbyllim negociatat”, deklaroi shefi i qeverisë. (A2 Televizion)