Kryeministri Edi Rama, në takimin me emigrantët në Milano, u zotua se në Shqipërinë 2030 të ardhurat vjetore për frymë do shkojnë të paktën në 15 000 euro.
“Do vazhdojmë ta rrisim prodhimin e përgjithshëm kombëtar. Kur ne morën detyrën, Shqipëria prodhonte më pak se 10 miliardë euro në totalin e vet, sot prodhojmë 25 miliardë euro dhe në vitin 2030 do ta çojmë në 35 miliardë euro. Vetëm kështu mund të rrisim të ardhurat për frymë. Kur morëm detyrën, ishin 3 000 euro për frymë, sot janë 10 400 euro, dhe në Shqipërinë e vitit 2030 do ta çojmë në 15 000 euro për frymë. Do ta rrisim pagën mesatare në sektorin publik. E gjetëm në 370 euro, sot e kemi çuar në 1 000 euro dhe në Shqipërinë e vitit 2030 do ta çojmë të paktën në 1 200 euro”, tha Rama, shkruan A2.
“Të votosh për Shqipërinë 2023 në BE do të thotë të investosh për një Shqipëri të re, si në aspektin e të drejtave, ashtu edhe në atë financiar. Sepse në sofrën europiane do të ketë një buxhet solidariteti ekstra çdo vit. Dhe për të marrë një shembull, nëse BE na ka dhënë rreth 1 miliard euro gjatë këtyre viteve, pas futjes në BE, çdo vit do të marrim 1 miliard euro, që do të jenë fonde të lëvruara rregullisht”, shtoi kryeministri.
Sipas Ramës, “pasaporta europiane e BE-së nuk është një dokument udhëtimi si çdo tjetër”.
“Është një status. Është një status i ri qytetarie, një status që për ne, si banorë ndër më të vjetrit e këtij kontinenti, që ndoshta s’i kemi thënë askujt "na jepni", por që kemi ngritur kokën dhe kemi ardhur këtu me përpjekje, do të na japë mundësinë që me atë pasaportë të kemi dinjitet të barabartë me çdo italian, çdo francez, dhe me këdo tjetër", tha më tej Rama.
(A2 Televizion)