Turp e cilësoi Edi Rama votën e emigrantëve nëse ajo shkon me postë drejt e në kënetë, pra për llogari të kundërshtarëve të tij demokratë në zgjedhjet e 11 Majit.
“Do të vijë zarfi me votën brenda, dhe do ulesh aty të vësh votën dhe ta çosh te posta dhe ta hedhësh në një kënetë në Shqipëri është vërtet turp", tha Rama.
Nga Milano, shefi i qeverisë nuk la pa ironizuar edhe procesin e Primareve në Partinë Demokratike, duke u ndalur në veçanti te “tradhtia” ndaj atyre që dolën të parët me votat e demokratëve, që mbetën kryesisht jashtë listës së mbyllur.
Sipas tij, Sali Berisha i gënjeu demokratët për Primaret dhe ata që dolën fitues përfunduan “në barkun e bufit”.
“Dua t’u them të gjithë demokratëve, nuk ju mjafton ajo që ndodhi me primaret, ku bufi ju tha të gjithëve, ‘vota juaj është ligj për mue’ dhe kush doli i pari në primare përfundojë në barkun e bufit, u zhduk, i kollofiti të gjithë. A thua se ju tha dilni t’ju shoh njëherë, kush ka shumë vota që ta ha. Si mund të diskutohet se kush është zgjedhja në 11 maj, me flamurin tonë kombëtar dhe të BE apo me kënetën!”, deklaroi kryeministri. (A2 Televizion)