Kryeministri Edi Rama publikoi disa të dhëna në llogarinë e tij në Facebook, sipas të cilave, në Shqipëri, gjatë protestave, janë lënduar më shumë efektivë policie sesa protestues, ndryshe nga vendet e tjera të Europës ku gjithashtu ka pasur protesta.
“Ja pasqyra e turpit të ekraneve televizive, ku “studentët” u bënë viktimat e një dhune shtazarake dhe Policia e Shtetit u bë monstra mizore që masakronte orë e minutë të reja e të rinj të pafajshëm. Shikojeni raportin mes policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar në protesta të dhunshme në vendet e tjera demokratike, ku flama e terrorit të ANTIFA-s ka kohë që po djeg e shkatërron në qytetet e Europës: Kudo ka shumë më tepër protestues të lënduar se sa policë të plagosur, siç është krejt normale të ketë. Ndërsa në Tiranë bilanci është i përmbysur”, shkruan Rama.
“Sepse në realitet, Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës, duke mos e lënë asnjëherë dhunën e pësuar që ta nxjerrë atë nga binarët e misionit të saj demokratik. Por realiteti i Tiranës është zëvendësuar me një realitet tjetër në ekranet e kësaj flame dhune e terrori psikologjik antishtet. Që nga lajmet e mëngjesit deri te emisionet e VIP-ave të mbrëmjes, duke kaluar përmes direkteve të mbushura me patetizmat e një revolucioni studentor imagjinar, u heroizua një turmë e larmishme prej 1500 vetësh në kulmin e vet, me 500 maska e kapuçë të zinj në ballë, e cila s’kishte asnjë fije gjë të përbashkët me hallet, problemet, nevojat, dhimbjet e shpresat e studentëve apo familjeve shqiptare, ndërkohë që u shënjestrua me një paturpësi kriminale Policia e Shtetit”.
“Këta të ekraneve, ku pjesa më e madhe jeton me korrupsion, me paga marramendëse, renta javore, reklama Instagrami e deri edhe podkaste të ushqyera me para nën dorë, një armatë grabitësish të pensionistëve që deklarojnë pak e fitojnë qamet duke përzier ditë e natë një çorbë të shpifur urrejtjeje, vulgariteti e banaliteti, ndërkohë që gazetarë e kameramanë terreni trajtohen si skllevër për bukën e gojës, janë edhe më fajtorë për ditët e terrorit mbi popullin e Shqipërisë, se sa ata që hedhin qorrazi gurët e dhunës”, shtoi Rama.
Kryeministri tha se shumë shpejt do nxjerrë fakte, që “plot prej heronjve të maskuar që terrorizuan popullin shqiptar me fantazmën e vitit ‘97 dhe që s’kanë asnjë lidhje me Universitetin e me jetën studentore. Studentët e vërtetë janë ata që duan ta sfidojnë politikën dhe qeverinë pa ngritur dorën kundër pronës publike e private, po duke treguar me gisht plagët që kërkojnë shërim me dialog dhe angazhim të përbashkët”. (A2 Televizion)