
Një kapitull i rëndësishëm i futbollit shqiptar mbyllet. Armando Sadiku i jep fund karrierës si futbollist në moshën 35-vjeçare, për t’i hapur rrugë një aventure të re, këtë herë jashtë fushës së blertë. Sulmuesi shqiptar do të vijojë karrierën si drejtues te klubi zviceran Bellinzona, duke nisur një sfidë të re në botën e futbollit.
Për tifozët shqiptarë, emri i Sadikut do të lidhet gjithmonë me një moment të veçantë, që tashmë është pjesë e historisë së Kombëtares, shkruan A2.
19 qershori i vitit 2016. Shqipëria përballet me Rumaninë në Kampionatin Europian të Francës. Në minutën e 43-të, Sadiku realizon me kokë golin që i jep Shqipërisë fitoren e parë në një Europian. Një gol historik, që vulosi suksesin 1-0 dhe mbetet një nga momentet më të paharrueshme të futbollit shqiptar.
Goli ndaj Rumanisë ishte kulmi i një karriere të gjatë, të ndërtuar mes shumë kampionateve dhe aventurave të ndryshme. Nga Zvicra, ku la gjurmë me fanellat e Luganos dhe Locarnos, te Polonia, Spanja, Turqia, Bolivia dhe India, Sadiku provoi futbollin në kultura të ndryshme, duke vazhduar të kërkonte sfida të reja.
Me fanellën kuqezi, sulmuesi regjistroi 38 ndeshje dhe 12 gola, ndërsa në nivel klubesh fitoi tetë trofe. Një rrugëtim që nisi në futbollin shqiptar dhe e çoi në skena të ndryshme ndërkombëtare.
Tashmë, Sadiku do të jetë pjesë e drejtimit sportiv të Bellinzonës, klubit ku mbyll karrierën si lojtar. Një tjetër rol, me përgjegjësi të reja dhe me synimin për të kontribuar në futboll nga një këndvështrim tjetër. (A2 Televizion)