Pas publikimit të disa fotove dhe videove dhe lajmit në media për udhëtimin me helikopter, kryeministri Edi Rama është detyruar të shpjegojë pse po udhëtonte nga ajri për të shkuar nga Tirana në Korçë, në një kohë kur rruga tokësore mbetet e bllokuar në aksin Librazhd–Përrenjas.
Krahas fotos nga helikopteri, shefi i qeverisë thotë se ky ishte një itinerar i planifikuar para se të shembej rruga.
“Në fakt, jo vetëm për Korçë, por nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë dhe për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare. Me aks të lirë apo me aks të bllokuar, ky fluturim me helikopter ishte planifikuar kohë më parë, pikërisht sepse grupi që vjen do të shohë Korçën, Vlorën dhe nesër Tiranën në vetëm 24 orë qëndrimi në Shqipëri”, tha Rama.
Gjithsesi, Rama tregohet i kujdesshëm në reagimin e tij, duke sqaruar se investitorët kanë udhëtuar me helikopterin e tyre, jo me atë të Forcave të Armatosura.
“Ata vijnë nga Rinasi në Korçë e pastaj në Vlorë me helikopterin e tyre, ndërsa ne do të përdorim helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili, me ne ose pa ne, kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit dhe, në këtë rast, i shërben edhe një pune tjetër të mirë njëkohësisht”, tha Rama, përcjell A2 CNN.
Për herë të parë, kryeministri foli edhe për aksin kombëtar të bllokuar, duke e justifikuar si fenomen natyror dhe jo përgjegjësi institucionale.
“Sa për aksin e bllokuar këto ditë, duhet një ligësi e madhe, një dëshpërim i thellë dhe një padije e rëndë për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, që ka impaktuar edhe aksin e ri, por që ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale apo teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse”, tha Rama.
Për ta mbështetur këtë qëndrim, Rama postoi edhe një foto të një qyteze italiane, Niscemi në Sicili, sipas së cilës, edhe pse po rrëshqet toka dhe po rrezikon tërë qytezën, mediat dhe opozita nuk po e trajtojnë me histerinë e Shqipërisë.
Në fakt, në Itali jo vetëm që është shkruar për këtë çështje, por debati ka shkuar deri në Parlament, ku opozita akuzon për papërgjegjshmëri politike dhe administrative, ndërsa ministri akuzon kryebashkiakët që kanë drejtuar qytezën dhe nuk kanë marrë asnjë masë për më shumë se dy dekada, pavarësisht paralajmërimeve për rrezikun e shembjes.
Ashtu si kryeministri Rama, edhe Meloni ka përdorur helikopterin, kur fluturoi drejt qytetit të dëmtuar për të inspektuar dëmet dhe për të mbledhur autoritetet e emergjencave civile. (A2 Televizion)